Udhëzimi administrativ që iu mundëson qytetarëve të komunave në veri shkarkimin e kryetarëve përmes një peticioni do të jetë gati më 1 shtator. I njëjti sipas zyrtarëve të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal do të jenë në dëgjim publik edhe nesër më 31 gusht, mirëpo njohës të proceseve ligjore konsiderojnë se MAPL është vonuar në hartimin e këtij drafti, pasi ka edhe procedura të tjera derisa ai të hyjë në fuqi.
Nga zyra e kabinetit të ministrit të MAPL-së, Elbert Krasniqi, thonë për KosovaPress se ende nuk është përfunduar në tërësi drafti, pasi sot dhe nesër janë në fazën e pranimit të komenteve nga institucione të tjera.
Por profesori universitar, Mazllum Baraliu thotë për KosovaPress se është shumë skeptik se udhëzimi administrativ do të ofrojë zgjidhje konkrete për deeskalimin e plotë të situatës në veri dhe shpalljen shpejt të zgjedhjeve të parakohshme atje.
Ai shton se të njëjtin e sheh më shumë si një metodë për të blerë kohë sesa për të organizuar zgjedhjet në veri.
Sipas tij, pas nënshkrimit nga ana e ministrit Krasniqi të udhëzimit administrativ, i njëjti do të hyjë në fuqi pas publikimit në gazetën zyrtare.
Ai shtoi në udhëzim duhet të sqarohet edhe ecuria tutje si duhet të vazhdohet pas nisjes së peticionit për shkarkimin e kryetarëve në veri.
Më 10 korrik, Kosova ka arritur marrëveshje me BE-në për ulje të tensioneve, dhe në të është përfshirë edhe mbajtja e zgjedhjeve të reja në veri.
BE-ja ka bërë thirrje që zgjedhjet në veri të mbahen në një afat sa më të shkurtër kohor, derisa ka paralajmëruar se një takim i nivelit të lartë në dialog do të mbahet në shtator.