Policia e kryeqytetit mbetet vetëm në letër tash e pesë vjet
Tema
Lexohet për: 2 min.
9 muaj më parë
Linku u kopjua

Policia e Prishtinës edhe pse e paraparë të themelohet me ligj të miratuar para pesë viteve, ende nuk është krijuar kjo strukturë në kuadër të institucionit të sigurisë. Rasti i fundit i vrasjes në njërin nga lokalet në kryeqytet, por edhe problemet tjera, kanë rritur nevojën për të shtuar numrin e policëve për sigurinë e qytetarëve në Prishtinë.

Drejtori për Siguri dhe Emergjenca Komunale në Prishtinë, Lulëzim Fushtica thotë për KosovaPress, se si institucion janë të gatshëm që t’i inkuadrojnë ekipet shtesë të policisë për të shtuar sigurinë. Sipas tij, kjo do të shtojë edhe bashkëpunimin e qytetarëve me policinë e kryeqytetit.

Fushtica kërkon nga qytetarët e Prishtinës që të bashkëpunojnë me institucionet e sigurisë, sepse sipas tij, as policia nuk mund të kryej punën e vet nëse nuk ka bashkëpunim në mes të dy palëve.

Se ngjarjet e fundit të vrasjeve në lokalet e Prishtinës shtojnë nevojën për rritjen e trupave policorë në kryeqytet, e thotë edhe eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi. Sipas tij, Policia e Kosovës duhet të kryej punën në bazë të ligjit si për kryeqytet, ashtu edhe për sigurinë e vendit në përgjithësi.

Ai kërkon nga qytetarët që të mos mbajnë armë me vete, sepse kjo krijon shqetësim dhe pasoja të mundshme në kryeqytet.

Edhe qytetarët nga Prishtina kërkojnë që të zbatohet ligji për policinë e kryeqytetit, meqë sipas tyre, kryeqyteti ka nevojë të domosdoshme për polici speciale.

Qytetari nga kryeqyteti, Rrahman Emini thotë se qytetarët do të ndihen më të sigurt të dalin në rrugë, nëse do të ketë polici të kryeqytetit.

Po ashtu, Musli Purkuqi nga Prishtina u shpreh se policia në kryeqytet është e domosdoshme, sepse rastet e vrasjeve dhe konflikteve janë të shpeshta në Prishtinë.

Lidhur me moskrijimin e policisë së veçantë për Prishtinës dhe atë se deri ku ka shkuar ky proces, nuk kanë kthyer përgjigje nga Policia e Kosovës.

Në vitin 2018 në Kuvendin e Kosovës është miratuar Ligji për kryeqytetin e Republikës së Kosovës, ku parashihet krijimi i policisë së kryeqytetit./A.Drenica/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024