Mbyllja e rrugëve në Prishtinë, IKD kërkon konsultime publike dhe arsyetim ligjor
Lajme
Lexohet për: 4 min.
6 muaj më parë
Linku u kopjua

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar ndaj vendimit të kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama për mbylljen e qarkullimit të mjeteve motorike në një pjesë të rrugëve “Rexhep Luci” dhe “Qamil Hoxha”, si dhe në rrugët e rrugicat të cilat kalojnë nëpër parkun e Universitetit të Prishtinës dhe Bibliotekës Kombëtare.

Sipas IKD-së, ky vendim është nxjerrë me datë 18 gusht 2023 dhe është publikuar më 21 gusht 2023, derisa i njëjti pritet të hyj në fuqi më 1 shtator 2023.

“Fillimisht, IKD e ka parasysh rëndësinë e ndërmarrjes së reformave për rregullimin urban të Kryeqytetit. Këto çështje hyjnë në kuadër të diskrecionit të Komunës së Prishtinës dhe këtë duhet ta bëjë me ekspertët e fushës. Mirëpo, këto reforma nuk duhet të jenë pa arsyetim ligjor në atë mënyrë që të cenojnë të drejtat e qytetarëve. Për më tepër, vendime të kësaj natyre që prekin një numër të madh të qytetarëve domosdoshmërisht duhet të shoqërohen me konsultim publik. Vendimi i datës 18 gusht 2023 për mbylljen e qarkullimit të mjeteve motorike në një pjesë të rrugëve “Rexhep Luci” dhe “Qamil Hoxha” si dhe në rrugët e rrugicat të cilat kalojnë nëpër parkun e Universitetit të Prishtinës dhe Bibliotekës Kombëtare është marrë në shkelje të dispozitave lidhur me procedurën administrative dhe dispozitat që rregullojnë formën apo elementet e detyrueshme të aktit administrativ, duke e bërë kështu këtë vendim të paligjshëm, në kuptim të nenit 52 të Ligjit nr.05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative (tutje: LPPA). Ky vendim nuk është hartuar në përputhje me paragrafin 1 të nenit 47 të LPPA, ku shprehimisht thuhet se akti administrativ i shkruar përmban: 1.1. pjesën hyrëse, [...], 1.2. pjesën urdhëruese (dispozitivin), [...] 1.3. pjesën arsyetuese (arsyetimin), [...] 1.4. pjesën përmbyllëse, që tregon kohën e hyrjes në fuqi të aktit, informatat për mjetet juridike, përfshirë organin publik apo gjykatën ku paraqitet mjeti juridik administrativ apo gjyqësor, formën e mjetit, afatin përkatës dhe mënyrën e llogaritjes së tij (këshillën juridike). Si rrjedhojë është e qartë se vendimi në fjalë është hartuar tërësisht në kundërshtim me LPPA, meqë i njëjti, nuk përmban as arsyetimin dhe as këshillën juridike. Kjo i pamundëson qytetarëve të prekur nga ky vendim që të marrin shpjegimin e situatës faktike mbi të cilën është marrë vendimi, shkaqet vendimtare, bazën ligjore dhe arsyet pse ky vendim është i zbatueshëm në rastin konkret. Pas publikimin të vendimit, kryetari i Komunës së Prishtinës më 23 gusht 2023 në rrjetin e tij social “facebook” ka publikuar një status përmes të cilit ka sqaruar vendimin e nxjerrë. Me këtë rast, IKD i rikujton kryetarit të Komunës së Prishtinës se sipas ligjit arsyetimi e ka vendin në vendimin e nxjerrë dhe jo në rrjete sociale. Në anën tjetër, udhëzimi Administrativ (MAPL) Nr.06/2018 për Standardet Minimale të Konsultimit Publik në Komuna ka përcaktuar rregullat dhe procedurat që duhet të ndjekin komunat për zhvillimin e konsultimeve publike. Konsultimet publike duhet të jenë reale, në atë mënyrë që të marrin parasysh kërkesat e qytetarëve dhe ti përshtatin ato me reformat që synohet të ndërmerren. Procesi i konsultimeve publike nuk kërkon vetëm zhvillimin formal të këtij procesi. Kështu, në rastet kur merren vendime të kësaj natyre, Komuna e Prishtinës duhet të zhvilloj konsultime publike kualitative, në atë mënyrë që vendimi ti merr parasysh interesat e qytetarëve dhe mos ti cenoj të drejtat e tyre”, thuhet në reagim.

Për këtë arsye, IKD i rekomandon Komunës së Prishtinës që të anulojë vendimin e datës 18 gusht 2023 dhe para nxjerrjes së vendimit të ri lidhur me këto rrugë, të zhvillojë konsultime publike cilësore, si dhe të nxjerrë vendim të arsyetuar, ashtu siç kërkohet me ligj.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024