“Si të shoh ty - Kosovë?”, pa paragjykime mes të rinjve të komuniteteve të ndryshme
Tema
Lexohet për: 4 min.
6 muaj më parë
Linku u kopjua

Në kuadër të edicionit të sivjetmë të Dokufestit është hapur edhe ekspozita digjitale me titull “Si të shoh ty - Kosovë?” (How do I see you - Kosova?) që ka mbledhur 14 të rinj të komuniteteve të ndryshme që jetojnë në Kosovë në një rrugëtim artistik transformues. Pas një jave së bashku ku vizituan pika të ndryshme kulturore në qytete të ndryshme të vendit, grupi intervistoi njëri-tjetrin, duke u përqendruar rreth pyetjes, "Si të shoh ty?". Këto intervista më pastaj u shfaqen në ekspozitën audio-vizuale me të njëjtin emër.

Menaxherja e projektit, Zana Arapi-Xheladini, duke treguar qëllimet, tha për KosovaPress se të rinjtë kanë qenë të moshës nga 18 deri 25 vjeç ndërsa dëshiron të dëshmojë që nuk ka dallime mes tyre pavarësisht se i përkasin komuniteteve të ndryshme.

“‘How do I see you - Kosovo?’ ka për qëllim që të sjellë së bashku të rinjtë të moshës 18-25 vjeçare nga të gjitha komunitetet në Kosovë që të kalojnë kohë së bashku duke vizituar vende kulturore të cilat Dokufest vetëm ka bashkëpunim shumëvjeçar edhe nëpërmjet këtyre vizitave të kuptojmë që i vetmi ndryshim që kemi ne është vetëm ndoshta gjuha dhe asgjë tjetër. Sidomos sepse kjo çka na ka shtyrë për të bërë këtë projekt është për shkak se sidomos narracionet e mediave në kohët e fundit janë tepër të ashpra që janë më shumë të koncentruara për të nxitur urrejtjen dhe jo për të shuar atë”, tha Arapi-Xheladini.

Ky projekt është mbështetur nga Zyra e OSCE në Kosovë ndërsa Arapi-Xheladini tregon se cila ka qenë detyra kryesore e të rinjve pjesëmarrës e që kulmoi me ekspozitën digjitale të hapur në Prizren.

“Detyra kryesore ka qenë që të krijojnë video dyminutëshe për njëri-tjetrin dhe janë ndryshuar çiftet në baza ditore edhe pasi i kemi shikuar të gjitha videot e krijuara në këto 8 ditë të projektit na edhe kemi vendosur në fund se si t’i caktojmë çiftet përfundimtare për intervista ku këto intervista janë xhiruar në mënyrë profesionale me disa pyetje të paracaktuara prej nesh e që këto pastaj janë edituar”, u shpreh Arapi-Xheladini.

Lorik Sahiti ka qenë një nga pjesëmarrësit në këtë projekt. Ai thotë për KosovaPress se ky projekt e ndihmoi për të njohur më mirë moshatarët e tij të komuniteteve të tjera pakicë.

“Projekti ‘How do I see you - Kosova?’ është një projekt që ka më ka lënë shumë përshtypje të mira si pjesëmarrës që kam qenë, kam mësuar shumë rreth gjërave nga ana video-grafike por gjithashtu të njoh shumë njerëz nga komunitete të ndryshme dhe me background të ndryshme, kjo do të më ndihmojë për të ardhmen për të kuptuar njerëzit më mirë, për të bërë punën më mirë dhe kjo është një vlerësim i imi për punën e Dokufest dhe projektit ‘How do I see you - Kosova?’”, tha Sahiti.

Tylaj Elshani, një e re nga komuniteti rom, thekson rëndësinë e projekteve si “How do I see you - Kosova?” për të shembur muret e paragjykimeve mes komuniteteve që jetojnë në Kosovë.

“Besoj se ekspozita ka dalë diçka shumë perfekte shkaku që kemi pasur edhe etni të ndryshme që i kanë hequr edhe disa paragjykime ndaj komuniteteve të tjera. Mendoj që ky projekt duhet të zbatohet disa herë sepse njerëzit kanë nevojë të njohur dhe kultura të reja por edhe për të mos pasur paragjykime ndaj njerëzve të tjerë”, tha Elshani.

Arapi-Xheladini duke lavdëruar përkushtimin e të rinjve pjesëmarrës tha se është dëshmitare se si ata po e vazhdojnë miqësinë edhe pas përfundimit të projektit.

“Më vjen shumë mirë që kur e shoh se shumica e pjesëmarrësve të cilët veçse i kanë disa nëpër Instagram ose në Facebook veçse janë bërë shokë mes vete dhe po e vazhdojnë komunikimin mes tyre. Kështu që nëse prej 14 prej tyre 4 janë duke e mbajtur miqësinë besoj se është sukses i arritur”, tha ajo.

Në fund, u premtua se do të ketë vazhdimësi të projekteve të ngjashme edhe në të ardhmen. /S.Berisha/

https://kosovapress.com/admin/%e2%80%8bnxenesit-e-komuniteteve-nxiten-te-vijojne-shkollimin/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024