Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut bëri të ditur se janë zvogëluar rezervat me sasi të gjakut derisa ka numër të vogël të dhuruesve për shkak të sezonit së pushimeve.
Doktoresha Hedije Mahmutaj, tha se rastet emergjente të shtuara ditëve të fundit kanë ndikuar në zvogëlimin e rezervave të gjakut.
Tutje, ajo tha se mungesë më shumë vërehet te grupi i gjakut A dhe 0.
“Kemi ftuar dhurues të gjakut se është në kufirin e poshtëm gjendja e rezervave, po është vikendi nuk po dihet e nesërmja çka po sjell nuk po dihet urgjenca çfarë urgjenca kemi, kemi pas për shembull grupin A pak me më pak, më pak grupin 0 dhe kjo", tha Mahmutaj.
Ndërsa qytetari nga Drenasi, Enver Thaçi, tha se dhuron vazhdimisht gjak dhe apeloi për qytetarët që të ndihmojnë te tjerët që kanë nevojë.
Po ashtu edhe Sabri Bytyçi, dhurues i rregullt i gjakut, tha se do të vazhdojë të dhurojë gjak çdo vit.
Qendra Kombëtare e Kosovës për Transfuzionin e Gjakut në Prishtinë është e hapur çdo ditë pune nga ora 8:00 deri 18:00, ndërsa gjatë fundjavës nga 09:00 deri 16:00.
Po ashtu, në kamionetën e vendosur në sheshin e kryeqytetit, nga ora 10:00 deri 17:00 qytetarët mund të dhurojnë gjak./A.Drenica