​Sot tërhiqen edhe 25% e forcave policore në dhe përreth objekteve komunale në veri
Lajme
Lexohet për: 2 min.
8 muaj më parë
Linku u kopjua

Sot (e premte) do të fillojë zvogëlimi i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës për 25%, në dhe përreth objekteve komunale në veri. Vendimi ka ardhur pas vlerësimit të situatës nga Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i.

Sipas vlerësimit, situata e sigurisë në dhe rreth objekteve të komunave veriore vlerësohet se është e mirë.

“Policia e Kosovës në vazhdën e realizmit të detyrave dhe autorizimeve të saja kushtetuese dhe ligjore në interes të sigurisë publike në vend, si dhe me qëllim të zbatimit të dakordimeve të arritura në Bratisllavë me 10 korrik 2023, në mes të Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës, saktësisht hapit dy të këtij dakordimi, me këtë rast është mbajtur takimi punues mes Policisë së Kosovës, EULEX dhe KFOR për vlerësim të situatës së sigurisë, në dhe përreth ndërtesave komunale të komunave veriore. Sipas vlerësimit të përbashkët, nga Policia e Kosovës, EULEX dhe KFOR, situata e sigurisë në dhe rreth objekteve të komunave veriore vlerësohet se është e mirë.”, është bërë e ditur në komunikatë.

Po ashtu, është potencuar se ekipet e Policisë së Kosovës, bashkë me EULEX dhe KFOR, do të vijojnë koordinimin dhe do të ndërmarrin veprimet e nevojshme sipas vlerësimit të rregullt të situatës së sigurisë në dhe përreth objekteve komunale, në komunat veriore të Republikës se Kosovës.

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, e ka mirëpritur vendimin për zvogëlimin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës për 25%, në dhe përreth objekteve komunale në veri të Kosovës.

Lajçak ka shkruar në Twitter se ky është një hap i rëndësishëm drejt deeskalimit të plotë të tensioneve në veri të Kosovës.

“E mirëpres vlerësimin e parë të përbashkët të sigurisë ndërmjet Policisë së Kosovës, EULEX-it në Kosovë dhe KFOR-it siç është rënë dakord në Bratislavë. Ky është një hap i rëndësishëm drejt deeskalimit të plotë të tensioneve në veri të Kosovës", ka shkruar Lajçak në Twitter.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024