Abdixhiku i fton të gjithë në rrugën e re për Kosovën
Lajme
Lexohet për: 3 min.
10 muaj më parë
Linku u kopjua

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka publikuar një video në të cilën ka theksuar polarizimin e skajshëm dhe përçarjet e thella në shoqërinë tonë.

 Abdixhiku deri sot ka mbajtur katër takime me opinionistë e gazetarë, organizata të shoqërisë civile, ligjërues universitarë si dhe me mbi 100 biznese kryesore në vend.

Ai në postimin e tij përmes kësaj video thekson se: “pushteti po na ndanë, po na përçanë, po na lë në të njëjtin vend. Përplasjet na çojnë çdo ditë, krizat po aq shpesh, e ne jemi shndërruar në spektaroë të fatit tonë teksa njerëz me plot urrejtje a pa vullnet për punë vendosin për ne”.

Kryetari i LDK-së po ashtu iu ka bërë thirrje të gjithëve që t’i bashkohen ‘rrugës së re’, pavarësisht bindjeve e dallimeve, si rrugë e domosdoshme për vendin tonë.

Në vijim gjeni të bashkëngjitur tekstin e videos.

“RRUGA E RE KA FILLUAR

Kam nisur këtë angazhim duke thënë se na duhet një rizgjim kolektiv për rrugën që vendi ynë duhet ta bëjë. Se rrugët e deritanishme po na mbajnë peng në të shkuarën e asesi nuk po na ndërtojnë të ardhmen.

Dhe mes betejave përplasëse mbi të kaluarën, mes polarizimit të skajshëm shoqëror, mes sharjeve e ofendimeve, ndarjeve e përçarjeve, unë zgjedh një rrugë të re për vendin tonë. Një drejt së ardhmes që sot po na rrëshqet pakthyeshëm.

Në katër takimet e fundit, kam takuar dhe gazetarë, ligjërues, anëtarë të shoqërisë civile e ndërmarrës kosovarë. Mes mendimeve të tyre, kam parë më të mirën e vendit. Potencialin e jashtëzakonshëm që kemi si shtet e si shoqëri dhe masën kritike që mund ta shtrojë këtë rrugëtim.

Mbi të gjitha kam parë jo vetëm shqetësimin që të gjithë bashkërisht e kemi për fatin e Republikës, por dhe vullnetin për të ndryshuar politikën tonë rrënjësisht.

Sot, përbashkimi me rrugën e re është detyrim i secilit në vend; i mjekëve, mësuesve, punëtorëve, ndërmarrësve, studentëve e vet popullit të Kosovës që rrugën e paqes, zhvillimit e vet mirëqenies duhet ta përcaktojë në këtë moment.

Nuk do të ndalemi. Do t’i vazhdojmë takimet, do të vazhdojmë unifikimin tonë, siç dhe do të vazhdojmë shpalosjen e ideve konkrete në programin e Rrugës së re.

Prandaj, pavarësisht bindjeve tuaja, pavarësisht vështirësive që kemi, pavarësisht dallimeve që mund t’i gjejmë, le të gjejmë angazhimin e përbashkët për Kosovën, shtetin tonë, Republikën tone!”

25 vjet çlirim, a jeni të kënaqur me suksesin e Republikës së Kosovës ?
Po
Jo
Nuk e di
Voto
347
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024