Gjatë dhënies së dëshmisë së tij në seancën gjyqësore kundër ish-krerëve të UÇK-së, oficeri ushtarak britanik, Francis Ledwidge u shpreh se detyra parësore ka qenë që të përcaktohet vendndodhja e 47 personave të zhdukur.
Kështu dëshmitari deklaroi gjatë marrjes në pyetje nga mbrojtja e Kadri Veselit, e cila u interesua të di më shumë për kompetencat që ai kishte gjatë shërbimit të tij në periudhën e luftës në Kosovë.
Oficeri britanik u shpreh se ai fillimisht ishte një oficer i operativës dhe si detyrë kishte pajisjen e njerëzve të misionit me radio-lidhje si dhe të raportonte për incidentet në zinxhirin komandues.
Ai, tutje theksoi se detyra parësore e ekipit të tij ishte të përcaktonin fatin e 47 personave të zhdukur që kishte ndodhur në zonën ku ai e mbulonte.
Avokati i Veselit, Andrew Stronge vazhdoi të parashtrojë pyetje karshi dëshmitarit për sfidat që ishin ballafaquar për grumbullimin e informacioneve të sakta.
Stronge kërkoi të dijë se a ka ekzistuar rreziku që një pjesë e informacionit që kishin marr si mision në atë zonë mund të ishte nxjerr përmes torturës.
Pas kundra-pyetjeve të mbrojtjes së Kadri Veselit, me pyetje për dëshmitarin e 14-të të ZPS-së vazhdoi mbrojtja e Jakup Krasniqit, ndërsa pyetjet për oficerin britanik nuk pati mbrojtja e Rexhep Selimit.
Në seancën e sotme kundra-pyetjet për Francis Ledwidge i përfundoi edhe mbrojtja e Thaçit.
Oficeri ushtarak britanik, Francis Ledwidge dëshminë e tij para Speciales nisi gjatë seancës së djeshme, kur ndaj tij parashtroi pyetje ZPS, ndërsa mbrojtja e viktimave nuk kishte pyetje për dëshmitarin e 14-të në rastin Thaçi dhe të tjerët.
Gjykimi kundër ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse, kur të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës. Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020./B.Ibishi/