Ndeshja e kthimit ndaj Ludogorets, Daja: Do të bëjmë lojën tonë ashtu siç bëmë edhe në Prishtinë
Sport
Lexohet për: 3 min.
8 muaj më parë
Linku u kopjua

Kampioni i Kosovës, Ballkani ka mbajtur sot konferencën për media para ndeshjes së nesërme kundër Ludogorets në kuadër të kualifikimeve të Ligës së Kampionëve.

Ballkani luan nesër ndeshjen e kthimit kundër Ludogorets, ku në ndeshjen e parë që e zhvilloi në stadiumin “Fadil Vokrri” e mposhti kampionin bullgar me rezultat solid 2:0, raporton KosovaPress.

Në konferencën për media, trajneri i Ballkanit, Ilir Daja tregoi se si do t’i qaset skuadra e tij ndeshjes së nesërme ndaj Ludogorets.

Daja tha se Ballkani do të bëjë lojën e vetë siç e bëri në Prishtinë, duke mos i mohuar vlerat që ka kundërshtari i nesërm.

“Nesër do të mundohemi që të bëjmë lojën tonë ashtu siç bëmë edhe në Prishtinë duke e vlerësuar drejtë kundërshtarin por që duke mos mohuar edhe vlerat tona sepse kemi kohë që paraqitemi goxha mirë edhe në kompeticionet evropiane”, tha Daja.

Po ashtu, Daja tregoi se ka zgjedhur një strategji për nesër, ndërsa edhe zbuloi se çfarë do të jetë primare për skuadrën e tij ndaj kampionit bullgar.

“Nesër ne do të jemi fleksibël edhe në fazën e mbrojtjes edhe në fazën e sulmit. Sigurisht që kemi zgjedhur një strategji duke u nisur nga rezultati 2:0, por kjo nuk do të jetë primarja te ne, primarja te ne do të jetë ajo lojë që kemi zhvilluar dhe që tashmë e kemi instaluar goxha mirë me futbollistët cilësorë që kemi”, tha Daja.

Për fund, trajneri i Ballkanit foli edhe për mungesat e lojtarëve, ku tha se përveç Albin Kaprës i gjithë kontingjenti i lojtarëve është i gatshëm.

“I gjithë kontingjenti është i gatshëm përveç mungesës së Kaprës për probleme shëndetësore, për shkak të viruseve sezonale që nuk udhëtoi me ekipin, ndërsa e gjithë pjesa tjetër është e gatshme për lojë, dhe ato pak elemente që kishim ndonjë dyshim që kishim javën që shkoi që ishte Kryeziu sot, apo Jashanica që pësoi atë dëmtim përpara seancave stërvitore, nesër do të jenë të gatshëm për tu përballur në këtë sfidë në Razgrad në Bullgari”, tha Daja.

Nesër me fillim nga ora 20:00 Ballkani zhvillon ndeshjen e kthimit ndaj Ludogoretsit si mysafirë në stadiumin “Huvepharma Arena” në Razgrad të Bullgarisë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024