Rrahja në Kuvend, KMDLNJ fajëson Konjufcën për shkeljeje të rënda të rregullores
Lajme
Lexohet për: 7 min.
7 muaj më parë
Linku u kopjua

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka vlerësuar se rrahja që ndodhi në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës, ishte e shmangshme sikur të menaxhohej më mirë dhe të respektohej rregullorja e punës e Kuvendit të Kosovës nga drejtuesi i seancës, Glauk Konjufca.

KMDLNj thekson se Kuvendi është vendi i punës së deputetëve dhe të gjithë të tjerët, kryeministri, presidentja, ministrat, z.ministrat konsiderohen mysafirë dhe duhet t’i nënshtrohen rregullave që janë të përcaktuara nga Kuvendi e që nuk ndodhi në seancën e fundit.

“Besnik Bislimit, z.kryeministër i qeverisë së Kosovës sikur asnjë ministri nuk i takon dhe nuk kanë të drejtë të ndërmarrin asnjë veprim në kundërshtim me Rregulloren e Punës dhe statusin e tyre, si mysafirë. Ata duhet ta kryejnë punën për çka janë ftuar nga deputetët apo, nëse kanë kërkuar në bazë të drejtës që iu takon e pastaj të kthehen në shtëpinë e tyre, qeverinë e Kosovës. Besnik Bislimi nuk ka pasur asnjë të drejtë ta grisë një foto që e vendosi opozita, pavarësisht përmbajtjes. Këtë të drejtë e kanë pasur deputetët e pozitës sikur edhe çdo deputet në Kuvendin e Kosovës. Shkelje tjetër ishte kur po ky z.kryministër e gjuan me shishe uji deputetin Lushtaku. Në këtë situatë, kryetari i Kuvendit, po të kishte pasur profesionalizëm dhe guxim do ta largonte nga seanca Besnik Bislimin sepse, si mysafir, në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit ndërmori veprime që nuk i takojnë sikur që sulmoi deputetin Lushtaku”, thuhet në një reagim të KMDLNJ-së.

Në reagim thuhet se si shkeljen më të rëndë që e bëri kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ishte thirrja drejtuar policisë së Kosovës të intervenojnë sa ishte duke u zhvilluar seanca, pasi kryetari i Kuvendit fillimisht është dashur ta ndërpresë seancen e pastaj ta thërrasë Policinë e Kosovës që të ndërhyjë në qetësimin e seancës.

Reagim i KMDLNj – së:

UDHËHEQJA E SEANCËS, NË KUNDËRSHTIM ME RREGULLOREN, E PËRSHKALLËZOI SITUATËN!

Në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës pa asnjë arsye u përshkallëzua situata e cila ishte e shmangshme sikur që kishte mundësi të menaxhohej më mirë po të ishte respektuar Rregullorja e Punës e Kuvendit të Kosovës nga drejtuesi i seancës, Glauk Konjufca, kryetar i  Kuvendit të Kosovës. Dihet qartazi se Kuvendi i Kosovës është vend pune i deputetëve të zgjedhur nga vota e popullit  që janë të mandatuar t’i përfaqësojnë dhe mbrojnë intereset e qytetarëve (votuesve), pa dallime partiake dhe të tjera. Të gjithë të tjerët, kryeministri, presidentja, ministrat, z.ministrat konsiderohen mysafirë dhe duhet t’i nënshtrohen rregullave që janë të përcaktuara nga Kuvendi e që nuk ndodhi në seancën e fundit. Besnik Bislimit, z.kryeministër i qeverisë së Kosovës sikur asnjë ministri nuk i takon dhe nuk kanë të drejtë të ndërmarrin asnjë veprim në kundërshtim me Rregulloren e Punës dhe statusin e tyre, si mysafirë. Ata duhet ta kryejnë punën për çka janë ftuar nga deputetët apo, nëse kanë kërkuar në bazë të drejtës që iu takon e pastaj të kthehen në shtëpinë e tyre, qeverinë e Kosovës. Besnik Bislimi nuk ka pasur asnjë të drejtë ta grisë një foto që e vendosi opozita, pavarësisht përmbajtjes. Këtë të drejtë e kanë pasur deputetët e pozitës sikur edhe çdo deputet në Kuvendin e Kosovës. Shkelje tjetër ishte kur po ky z.kryministër e gjuan me shishe uji deputetin Lushtaku. Në këtë situatë, kryetari i Kuvendit, po të kishte pasur profesionalizëm dhe guxim do ta largonte nga seanca Besnik Bislimin sepse, si mysafir, në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit ndërmori veprime që nuk i takojnë sikur që sulmoi deputetin Lushtaku. KMDLNj –ë është i sigurt se, nëse kryetari i Kuvendit do ta largonte nga seanca z.kryeministrin Besnik Bislimi, situata do të qetësohej dhe seanca do të zhvillohej në rrethana krejtësisht tjera. Ndërkaq, si shkeljen më të rëndë që e bëri kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ishte thirrja drejtuar policisë së Kosovës të intervenojnë sa ishte duke u zhvilluar seanca. Kryetari i Kuvendit fillimisht është dashur ta ndërpresë seancen e pastaj ta thërrasë Policinë e Kosovës që të ndërhyjë në qetësimin e seancës.  Në historinë parlamentare të Kosovës asnjëherë nuk ka pasur ndonjë rast që kryetarët e Kuvendit apo drejtuesit e seancave ta thërrasin Policinë apo sigurimin e Kuvendit ndonëse incidentet ishin shumë më të rënda  me ç’rast rrezikohej edhe shëndeti i deputetëve siç ishte hedhja e gazit lotsjellës dhe mjeteve të forta pjesë e së cilës, qoftë si pjesëmarrës aktiv apo edhe si dëshmitar ishte edhe kryetari i tashëm i Kuvendit të Kosovës. Të gjithë ata që e kanë përcjellur punën e Kuvendit, qoftë si monitorues apo përmes mjeteve të informimit janë dëshmitarë se ish kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli nuk ka lejuar pjesëtarët e sigurimit – policisë as të hyjnë brenda Kuvendit e lëre më të ketë bërë ftesë për intervenim ndonëse situata e përshkallëzuar në atë kohë ishte shumëfishë më e rrezikshme dhe me pasoja të mundshme se që ishte në seancën e fundit.

KMDLNj –ë vlerëson se incidente që ndodhën në seancën e fundit ndodhin në të gjitha vendet tjera që kanë traditë shumë më të gjatë parlamentare dhe demokraci të qëndrueshme prandaj mendon se kjo është e tejkalueshme dhe se nuk ka asnjë bazë ligjore që të ndiqen penalisht asnjëri që shkaktoi incidente, as nga ana e qeverisë e as nga ana e deputetëve. Për KMDLNj –në rrezik real paraqet gjuha e urrejtjes, fyerjeve në baza personale dhe familjare e që nuk duhet të trajtohen në seancat e Kuvendit të Kosovës sikur që, edhe nëse ndodhin, kryetari i Kuvendit, si autoritet suprem apo drejtuesi i seancës duhet të ndërmarrin masa të menjëhershme duke i larguar nga seanca dhe duke i përjashtuar nga seancat tjera, në përputhje me peshën e përgjegjësisë, pavarësisht përkatësisë partiake dhe të tjera.

Nëse duan që puna e Kuvendit të Kosovës t’i kthehet normalitetit, e nuk ka asnjë arsye të mos ndodhë kështu, drejtuesit e partive politike duhet t’i disiplinojnë anëtarët e tyre dhe, nëse veprojnë ndryshe pikërisht partitë politike duhet të ndërmarrin masa kundër atyre që ndikojnë në keqpunën e Kuvendit të Kosovës. Deputetët e Kuvendit të Kosovës, përmes grupeve parlamentare duhet ta arrijnë një marrëveshje që do të siguronte mbarëvajtjen e punës së Kuvendit të Kosovës, apo, me marrëveshje, nëse vlerësojnë se nuk ka mundësi tjetër të merren vesh për shpërndarjen e kësaj legjislature. Kosovën e presin shumë sfida që do ta përcaktojnë të ardhnen edhe si shtet për t’i lejuar vetes (deputetët) që të merren me gjëra krejtësisht të parëndësishme.

Duhet të kuptohet se të drejtat dhe përgjegjësitë janë të ndara si për Presidenten, Kryeministrin ashtu edhe për Kuvendin e Kosovës dhe të gjithë duhet të sillen brenda përgjegjësive të përcaktuara. Në fund të fundit, nuk është qeveria ajo që e mbikëqyrë punën e Kuvendit por Kuvendi e mbikëqyrë punën e qeverisë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024