Veteranët paralajmërojnë protesta nëse Osmani dekreton ligjin për pagën minimale
Lajme
Lexohet për: 2 min.
7 muaj më parë
Linku u kopjua

Mijëra veteranë të UÇK-së kanë protestuar sot para Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar t’i mbrojë interesat e qytetarëve dhe jo të koordinohet me Millan Radojçiqin. Ata kërkuan nga presidentja e vendit të mos dekretojë ligjin për pagën minimale, për të cilin thanë se po diskriminon ish luftëtarët, në të kundërtën paralajmëruan protesta të vazhdueshme para institucioneve të Kosovës.

Bashkëluftëtari i Zahir Pajazitit, Avni Ajeti tha se të drejtat nuk po mohohen nga regjimit serb por nga Qeveria për të cilën kanë luftuar.

“Kjo Qeveri e kjo shumicë me direktiva të Radojçiqit, i la jashtë pagës minimale veteranët e UÇK-së. Jemi çudit vetëm me deputetët veteranë të cilët me votën e tyre  i kanë tradhtuar shokët e luftës, sa për të tjerët dihet çka mendojnë për UÇK-në. I bëjmë thirrje presidentes, Vjosa Osmani mos ta dekreton ligjin që i përbuz veteranët e UÇK-së, përndryshe do të përballën me neve me protesta të vazhdueshme, nëse është nevoja do të qëndrojmë para qeverisë, por nuk do të lejojmë të shkelemi dhe të shtypemi“, tha ai.

Kryetari i shoqatës “Zëri i Prindërve”, Bajram Qerkini ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës ta ndryshoj qasjen ndaj veteranëve dhe të gjitha shoqatave të dala nga lufta, në të kundërtën u ka thënë veteranëve se duhet të organizohen protesta që nuk do të lejojnë kryeministrin Albin Kurti në ndërtesën e Qeverisë.

Qerkini para protestuesve tha se kjo protestë është e vogël se si duhet të jenë të tjerat nëse nuk merren parasysh kërkesat e tyre.

Djali i veteranit, Dominik Pllashniku pyeti nëse babai i tij ka luftuar për të folur shqip apo serbisht.

Protestuesit kërkuan që Mimoza Kusari Lila ta dorëzojë mandatin e deputetes. Kurse, nga Presidentja Vjosa Osmani kërkuan që ta kthej mbrapsht ligjin për pagën minimale, duke e konsideruar si anti-UÇK.

Protesta nisi me himnin kombëtar dhe përfundoi e qetë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024