“Skandali më i madh politik”, PDK kërkon llogari për bisedat e Kusarit me Radojçiqin
Lajme
Lexohet për: 2 min.
7 muaj më parë
Linku u kopjua

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Uran Ismaili, e cilësuar si skandalin më të madh politik bisedat e shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Mimoza Kusari-Lila me ish-deputetin e Listës Serbe, Slavko Simiq e që përmes tij, ajo ka komunikuar edhe me të kërkuarin nga drejtësia Milan Radojçiq.

Sipas Ismailit, kjo bisedë dëshmon se pushteti aktual ka komunikuar dhe është koordinuar me një njeri të sanksionuar nga Thesari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe, pavarësisht se Kurti ka këmbëngulur se nuk ka as njëlloj bashkëpunimi me Listën Serbe.

Ismaili tha se është e çuditshme dhe e pamoralshme si Kusari-Lila ankohet para Listës Serbe edhe për kërkesat e veteranëve të UÇK-së.

Ismaili tha se bisedat me bandat kriminale në veri, mes shefes së GP të LVV, nuk sjellin asnjë të mirë për qytetarët e Kosovës.

Ai pyeti se si është e mundur që një politikane e lartë e pushtetit komunikon direkt me një njeri të kërkuar nga drejtësia duke i dhënë atij garanci për procesin ndaj tij dhe për trajtimin e tij nga sistemi i drejtësisë. Sipas tij, kjo është një ndërhyrje në drejtësi dhe është mundësi favorizuese për Milan Radojçiqin dhe mundësi për t’u hetuar.

Në incizimin e publikuar mes Kusari-Lilës dhe Simiqit, dëgjohet deputetja e LVV-së duke e ofenduar edhe vetë Ismailin për të cilin tha se nuk ishte ndjerë mirë kur e kishte dëgjuar.

Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së si dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë lënë të kuptohet se do të organizojnë protestë pas fyerjeve ndaj veteranëve të UÇK-së, mirëpo Ismaili tha se PDK do të ketë një qëndrim zyrtar për këtë çështje, pavarësisht se ai është kundër.

Nënkryetari i PDK-së, tha se vetëm zgjedhjet janë një mundësi për të dalë nga kjo krizë të cilën e ka zhytur vendin partia e Albin Kurtit.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024