Në Bruksel është duke vazhduar samiti i liderëve të vendeve të Bashkimit Evropian, në të cilin, ndër tjerash temë për diskutim janë edhe tensionet në raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Për këtë është diskutuar edhe ditën e parë të samitit, së pari në një takim të përbashkët që liderët e BE-së patën me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, e pastaj edhe në takimin e shefave të shteteve apo qeverive të BE-së.Gjatë ditës, pritet të debatohet edhe për tekstin e konkluzioneve, i cili tekst është përgatitur për miratim. Në këtë tekst, ndër tjerash, është një paragraf që u kushtohet Kosovës dhe Serbisë, si dhe një tjetër për zgjerimin e Bashkimit Evropian.
Mirëpo, problemi me konkluzionet është se ato të gjitha janë në një dokument dhe ka mundësi që për shkak të mospajtimeve mes vendeve të BE-së për temën e migracionit, të mos miratohen fare as konkluzionet për temat tjera.
Liderët e BE-së kanë bërë përpjekje deri pas mesnate që të arrijnë pajtim për tekstin, por Hungaria dhe Polonia e kanë bllokuar miratimin e pjesës që ka të bëjë me menaxhimin e migrimit në BE.
Zyrtarët e BE-së shpresojnë se gjatë ditës së premte do të arrihet një kompromis dhe të miratohen konkluzionet. Si mundësi alternative mbetet edhe miratimi i tyre në formën e “Konkluzioneve të Presidencës“ e jo si “Konkluzione të Këshillit Evropian”.
Në tekstin e konkluzioneve kushtuar zgjerimit të BE-së, pritet që të shprehet mbështetja për integrimin e vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor në BE.
“Është esencial vazhdimi i dialogut të lehtësuar nga BE-ja, udhëhequr nga përfaqësuesi i lartë dhe zbatimi i shpejtë i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe implementimi i Aneksit është i domosdoshëm. Kjo përfshin edhe themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe“, theksohet në tekst.
ensionet në veri të Kosovës kanë filluar më 26 maj, kur kryetarët e zgjedhur në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq kanë shkuar në objektet komunale, të asistuar nga Policia e Kosovës. Situata ka eskaluar më datën 29 maj, kur grupet kriminale kanë sulmuar Policinë e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it, ku rreth tridhjetë prej tyre kanë mbetur të lënduar.
Ditë më parë, kryeministri Albin Kurti ka paraqitur pesë pika për situatën në veri, ku fokus sipas tij, duhet të jetë sundimi i ligjit në katër komunat veriore.
Ndërkaq, dje (29 qershor), Kurti ka paraqitur propozimin e ri për shtensionimin e situatës në veri. Ai ka paraqitur katër hapa konkretë që Qeveria e Kosovës është e gatshme t’i ndërmarrë për t’i kontribuar rikthimit të stabilitetit në veri. Mirëpo, ka thënë se presin edhe nga Serbia që të zotohet për tërheqje të protestuesve të dhunshëm nga ndërtesat komunale dhe të bashkëpunojë për paraburgimin dhe procedimin gjyqësor të kryesve të dhunës nga ana e Kosovës.