​Situata në veri, kërkohet të merren parasysh thirrjet e aleatëve për depërshkallëzim
Tema
Lexohet për: 3 min.
8 muaj më parë
Linku u kopjua

Përfshirja direkte e sekretarit amerikan të shtetit, Antony Blinken për situatën në veri dhe lirimi i tre policëve të rrëmbyer nga forcat serbe po shihet si mundësi e mirë për depërshkallëzimin e situatës në veri. Në Partinë Demokratike të Kosovës dhe njohës të procesit të dialogut theksojnë nevojën që në kuadër të kërkesave të aleatëve ndërkombëtar të gjendet një rrugëzgjidhje për krizën në veri të Kosovës. Mirëpo në partinë në pushet, Lëvizjen Vetëvendosje, theksojnë se fillimisht është i nevojshëm sundimi i ligjit në veri, pastaj edhe organizimi i zgjedhjeve të parakohshme.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa, thotë për KosovaPress se Qeveria e Kosovës duhet t’i dëgjojë kërkesat e aleatëve ndërkombëtar për shtensionimin e situatës në veri.

Ai kritikon kryeministrin Albin Kurti se përmes siç i quan aventurave të tij në veri po e dëmton Kosovën.

Nevojën për depërshkallëzim të situatës në veri e thekson edhe njohësi i procesit të dialogut, Visar Xani.

Ai thotë për KosovaPress se institucionet vendore duhet të shfrytëzojnë përfshirjen e sekretarit Blinken për depërshkallëzimin e situatës në veri, si mundësi për rikthimin e mbështetjes amerikane.

Por, në anën tjetër, deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi, thotë për KosovaPress se në kuadër të planit tre pikësh të BE-së për depërshkallëzim të veriut, dy nga kërkesat janë të Serbisë.

Sipas tij, Kosova ka pranuar kërkesën për zgjedhje të reja në veri, por gjithmonë në kuadër të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës.

Ai thekson se para se gjithash duhet të ketë sundim të ligjit në veri dhe largimin e grupeve kriminale para objekteve të komunave në veri.

Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken të hënën telefonuar kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, ku ka theksuar nevojën për depërshkallëzim të situatës në veri.

Të njëjtën ditë janë liruar në procedurë të rregullt edhe tre policët që janë rrëmbyer nga forcat serbe, pas 13 ditë qëndrimi në paraburgim.

Gjatë këtyre ditëve thirrje për zgjidhje të situatës në veri kanë bërë thirrje edhe kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme Josep Borrell.

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...

Në kuadër të planit tre pikësh të Bashkimit Evropian për shtensionim të situatës në veri janë që kryetarët e zgjedhur në katër komunat veriore të punojnë në objekte alternative, njësitet speciale të Policisë së Kosovës të largohen objektet komunale dhe të organizohen zgjedhjet e reja./E.Zeqiri/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024