Arrihet marrëveshja, Forcat Wagner ndalojnë së lëvizuri drejt Moskës
Bota
Lexohet për: 4 min.
9 muaj më parë
Linku u kopjua

Udhëheqësi i mercenarëve të Wagner-it, Yevgeny Prigozhin, ka lëshuar një shënim zanor në kanalin e tij Telegram, duke thënë se ka rënë dakord të "ndalojë" lëvizjen e trupave të tij që po përparojnë drejt kryeqytetit rus.

Siç raporton BBC, Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko ka zhvilluar bisedime me kreun e grupit mercenar Wagner, Yevgeny Prigozhin, gjatë të cilave Prigozhin ra dakord të ndalojë trupat e tij dhe të "de-përshkallëzojë situatën", tha kanali i lajmeve Rossiya 24.

“Prigozhin pranoi propozimin e Lukashenkos për të ndaluar lëvizjen e Wagnerit në territorin rus dhe për hapat e mëtejshëm për uljen e tensionit”, tha Rossiya 24, duke cituar shërbimin për shtyp të Lukashenkos.

Ai tha gjithashtu se ishte "e mundur për të gjetur një variant të pranueshëm të de-përshkallëzimit të situatës me garanci sigurie për luftëtarët e Wagner PMC".

Rossiya 24 tha se biseda ishte rënë dakord me Putinin.

Wagner kishte marrë tri qytete në Rusi dhe Moska ishte vetëm katër orë larg.

Guvernatori i provincës Lipetsk në Rusi, Igor Artamonov tha të shtunën se grupi mercenar Wagner ka hyrë në rajon.

Rajoni i Lipetsk është rreth 360 kilometra në jug të Moskës dhe shumë më afër kryeqytetit sesa Rostov-on-Don, ku forcat Wagner iu afruan qytetit.

Siç u raportua më parë, një video e mediave sociale – të cilën BBC e verifikoi, tregoi një kolonë të Wagner me automjete që udhëtonte në rajonin e Lipetsk-ut, që ndodhet midis qytetit të Voronezh dhe Moskës.

“Agjencitë e zbatimit të ligjit dhe autoritetet… po marrin të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë e popullatës. Situata është nën kontroll”, tha Artamonov.

Artamonov gjithashtu u kujtoi banorëve se “ata këshillohen fuqimisht të mos largohen nga shtëpitë e tyre dhe të shmangin udhëtimet me çdo mjet”.

BBC gjatë ditës raportoi se ushtarët e Wagner kanë marrë në kontroll ndërtesa ushtarake në qytetin e Voronezhit, një qytet mes Moskës dhe Rostovit, për të cilën mercenarët pretendojnë se kanë po ashtu kontrollin.

Guvernatori i rajonit Voronezh, Aleksandër Gusev ka paralajmëruar se ka shumë raportime false që po qarkullojnë rreth një lëvizjeje të armatosur në rajon.

Ai gjithashtu thotë se forcat e armatosura ruse po kryejnë tani “masa operative dhe luftarake” në rajonin e Voronezhit si pjesë e aksionit të shpallur më herët kundër terrorizmit.

Sipas BBC, një zjarr i madh ka shpërthyer në një depozitë nafte në Voronezh. Sipas Gusev, 100 zjarrfikës po punojnë për ta fikur zjarrin. Ende nuk është e qartë nëse zjarri ka lidhje me përparimin e forcave Wagner në Rusi.

Raportohet se ushtarë të Grupit Wagner po largohen nga misionet e tyre në Afrikë dhe Siri për t’iu bashkuar grusht-shtetit ushtarak në Rusi kundër presidentit rus Vladimir Putin.

Grupi Wagner është nisur në Moskë pasi të premten, kreu i tyre Yvgeny Prigozhin akuzoi udhëheqjen ushtarake ruse se ka bombarduar me raketa kampin e tyre ushtarak duke vrarë dhjetëra ushtarë të tij.

Ky grup fillimisht ka marrë qytetin Rostov të Rusisë.

Të shtunën, presidenti rus Vladimir Putin akuzoi shefin e Wagner, Yevgeny Prigozhin për tradhti, pasi luftëtarët e tij paraushtarakë kaluan kufirin nga Ukraina në Rusi, duke hyrë në qytetin e Rostov-on-Don.

Prigozhin akuzoi forcat ruse për sulmimin e luftëtarëve të tij, një pretendim që Moska e mohon.

Prigozhin në muajt e fundit ka akuzuar në mënyrë të përsëritur Ministrinë ruse të Mbrojtjes dhe ministrin e Mbrojtjes, Sergej Shoygu se nuk i kanë furnizuar me armë të mjaftueshme grupit të tij paraushtarak.

Wagner ka luftuar së bashku me ushtrinë e rregullt ruse në Ukrainë.

Rusia nisi "operacionin e saj special ushtarak" në Ukrainë më 24 shkurt të vitit të kaluar.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024