Situata në veri, Stoltenberg: NATO dhe BE po punojnë për uljen e tensioneve
Lajme
Lexohet për: 3 min.
8 muaj më parë
Linku u kopjua

NATO dhe Bashkimi Evropian po punojnë ngushtë për të ulur tensionet dhe për të gjetur një zgjidhje paqësore, ka thënë shefi i aleancës veriatlantike, Jens Stoltenberg, duke folur për situatën në veri të Kosovës.

Ai u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë për depërshkallëzim të situatës dhe kthim të menjëhershëm në dialogun e lehtësuar nga Bashkimit Evropian.

Sipas tij, ky është çelësi për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë, dhe stabilitetin në rajon.

Stoltenberg është deklaruar gjatë një takimi me presidentin e Malit të Zi, Jakov Millatoviq, të mbajtur në selinë e aleancës.

"Mendoj se situata në Kosovë dhe gjithashtu prania e NATO-s, tregon se si NATO dhe Bashkimi Evropian punojnë ngushtë së bashku në gjetjen e një rruge përpara për të ulur tensionet dhe për të gjetur një zgjidhje paqësore, sepse NATO ka prezencën apo paqeruajtësit në Kosovë në forcat e KFOR-it, ne kemi shpallur mandatin e OKB-së dhe natyrisht i qëndrojmë besnik mandatit të OKB-së. Ne kemi rritur gjithashtu praninë tonë të trupave të KFOR-it në Kosovë si reflektim i tensioneve të rritura që kemi parë gjatë javëve të fundit, dhe ajo që NATO bën në Kosovë është e paanshme", ka thënë ai.

Lajmi i plotë është në sistemin me parapagim.

Situata në veri të Kosovës është tensionuar prej 26 majit kur kryetarët e zgjedhur u detyruan të shkojnë në vendet e tyre të punës nën asistimin e Policisë së Kosovës.

Para ndërtesave komunale po qëndrojnë protestues serbë të cilët po kundërshtojnë kryetarët shqiptarë.

Gjatë kësaj kohe, protestuesit në veri, në mesin e tyre edhe të tillë me maska, kanë sulmuar pjesëtarë të Policisë së Kosovës, KFOR-it si dhe gazetarë të cilët po raportojnë nga pjesa veriore e vendit.

Autoritetet e Kosovës kanë arrestuar disa prej sulmuesve, në mesin e tyre edhe organizatorin e sulmeve ndaj KFOR-it, Millan Millenkoviq-Llune.

Ndërsa forcat serbe kanë rrëmbyer tre policë kufitar të Kosovës, brenda territorit të vendit tonë, të cilët po vazhdon t’i mbajë në Serbi.

Me qëllim të shtensionimit të situatës, shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, pritet të zhvillojë takime sot në Bruksel, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024