I dërguar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin, Gabriel Escobar, nuk pret që takimi në Bruksel në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq, të ndodhë këtë javë.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Escobar ka thënë se shpresojnë për një takim të nivelit të lartë në një të ardhme të afërt.Zëri i Amerikës shkruan gjithashtu se Escobar kundërshton propozimin që për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, palët të bien dakord paraprakisht për vijat e përgjithshme të tij.
“Nuk ka përse të presë për këtë. Nuk duhet të presë për këtë. Qëndrimi ynë është se duhet të jetë një model evropian. Pra, qëndrimi ynë, qëndrimi amerikan, ka qenë gjithnjë se modeli i asociacionit duhet të jetë i tillë që të ofrojë shërbime komunale për një pakicë kombëtare të gjuhës serbe. Kaq – shërbime komunale. Ajo nuk duhet të ndërhyjë me kushtetutën e Kosovës, strukturën e saj ligjore, apo funksionalitetin e saj. Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian u ka dhënë 16 lloje të ndryshme modelesh evropiane, që do të funksiononin për Kosovën. Në asnjë nga ato modele nuk mundet, që një vend fqinj të hyjë brenda kufijve të një vendi tjetër dhe të pengojë funksionalitetin e tij. Pra, nuk po kërkojmë një mjet matematikor midis dy qëndrimeve. Kërkojmë një version evropian. Pra, atij nuk i duhet asgjë më shumë se kjo”, ka thënë Escobar.
Ndërsa ka theksuar nevojën për zgjedhje të reja në komunat veriore të Kosovës.
“Ne njohim rezultatin e zgjedhjeve, megjithëse patën vetëm 3% pjesëmarrje. Serbia donte që t’i shpallnim të paligjshme. Serbia donte që ne të mos njihnim autoritetin e kryetarëve. Ne i njohëm. Kur kryetarët u inauguruan, për ne ata ishin kryetarë. Tashmë gjendemi në pozicionin e vështirë kur këta kryetarë nuk mund të pretendojnë se përfaqësojnë komunitetet ku janë kryetarë. Prandaj na duhen zgjedhje të reja. Por në të njëjtën mënyrë, ne pranuam se këta kryetarë kanë autoritetin ligjor për të vazhduar funksionet komunale. Kishim kërkuar megjithatë një gjë, që Kosova të mos përpiqej të merrte kontrollin e godinave komunale me forcë. E vetmja gjë që kërkuam nga qeveria e Kosovës është të mos rrisë tensionet, duke u përpjekur të shkojë atje me forcë. E megjithatë ata vepruan kështu. Pra nga njëra anë, gjithçka që kemi bërë, ka njohur legjitimitetin e Kosovës. Kemi mbajtur gjithnjë anën e tyre për të gjitha këto mosmarrëveshje”, ka thënë ai.