Shtegu "Via Dinarica" do të zhvillojë turizmin në Dukagjin
Turizem
Lexohet për: 6 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Në Mullirin e Haxhi Zekës në Pejë, është prezantuar fillimi i punimeve të mirëmbajtjes së shtegut "Via Dinarica". Projekti "NaturKosovo" synon të ketë ndikim në nivelin kombëtar dhe të përfitojnë edhe zonat tjera malore të Kosovës.

Në konferencën e mbajtur në Pejë, u tha se ky projekt do të ndikojë në zhvillimin e sektorit të turizmit përgjatë shtrirjes në tri komuna dhe parkut kombëtar "Bjeshkët e Nemuna".

Koordinatori i projektit, Matteo Mancini theksoi se sot shënohet fillimi i punëve për mirëmbajtjen e shtigjeve, ku njoftoi për hapat që janë ndërmarrë para fillimit të punimeve të mirëmbajtjes së shtegut "Via Dinarica".

"Është shumë me rendësi që të fillohet me konsolidimin e shtigjeve “Via Dinarica”, para se ato të plasohen në treg...Mes vitit të kaluar dhe qershorit tani, janë realizuar katër momente të ndryshme sa i përket studimit dhe kondicionit të shtigjeve. Me qëllim të bëhet planifikimi i punimeve që do të bëhet ditëve në vijim, njëkohësisht janë realizuar edhe me komunat përkatëse që të bëhen vlerësimet e nevojshme për aktivitetet në të ardhmen. Pastaj në fushën institucionale pas vlerësimit të mjeteve dhe pajisjeve të nevojshme për të zhvilluar këto aktivitete, ka filluar edhe procesi i konsolidimit të bashkëpunimit më ngushtë me ndihmën dhe me korpusin e kërkim shpëtimit malor. Para dy javësh është bërë vlerësimi i punëtorëve të cilët do të jenë të involvuar në këtë fazë", ka njoftuar ai.

Mancini po ashtu ka folur edhe për aktivitete tjera të planifikuara gjatë vitit 2023, me theks të veçantë për shpërndarjen e granteve për ofruesit e shërbimeve turistike.

"Nga java e ardhshme do ta fillojmë programin që ka të bëjë me grantet për ndërmarrjet e vogla që ofrojnë shërbime përgjatë shtegut "Via Dinarica", bëhet fjalë për një fond 360 mijë euro, i cili do të jetë në dispozicion për të promovuar, për të ofruar aktivitetet që janë të bëjnë me mikpritjen, akomodimin, hotelierinë, pastaj edhe promovimin e produkteve vendore", shtoi koordinatori i projektit.

Ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello De Riu tha se iniciativa "Natur-Kosovo" ka rëndësi të madhe në zhvillimin e këtij sektori dhe se Italia do të vazhdojë të përkrahë Kosovën.

“Qëllimi ambicioz i këtij projekti është ngritja e atraktivitetit të territoreve komunale të Pejës, Deçanit, Junikut dhe Parkut Kombëtar "Bjeshkët e Nemuna", në mënyrë që të zgjerohet “Via Dinarica” në Kosovë duke u frymëzuar nga suksesi dhe progresi që tashmë janë bërë në tiparet e tjera, në segmentin tjetër të Via Dinarica ku flukset turistike janë krijuar tashmë. Vlera e vërtetë e shtuar e projektit "NaturKosovo" është shkëmbimi i përvojës siç është theksuar nga z. Mancini dhe i praktikave të mira mes akterëve kosovarë dhe partnerëve italianë, siç dëshmohet nga puna e përbashkët e mirëmbajtjes së shtigjeve të ecjes që lidhin fshatrat dhe komunitetet malore përgjatë Via Dinarica”, tha De Riu.

Ambasadori tutje, theksoi se fokus i veçantë i këtij projekti janë edhe gratë sipërmarrëse dhe të rinjtë për të promovuar rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës.

Edhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari theksoi se Kosova është e bekuar me natyrën që e rrethon. Sipas saj, ky projekt do të ndikojë në zhvillim e sektorit në parkun kombëtar "Bjeshkët e Nemuna".

"Fillimi i punëve për mirëmbajtjen e shtegut "Via Dinarica", përmes projektit "NaturKosova" është dëshmi e kujdesit të shtuar që ne kemi për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit...Projekti "Via Dinarica" do të ndikojë në zhvillimin e turizmit në Kosovë përmes konsolidimit, përmirësimit dhe promovimit të seksionit kombëtar të këtij shtegu në parkun kombëtar "Bjeshkët e Nemuna" dhe e shtrirë në tetë shtete, si në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Bosnje Hercegovinë, Serbi, Kroaci, Slloveni dhe Itali. Ajo që do të mundësojë lidhjen e komuniteteve rajonale, por edhe vendeve të bashkëpunimit rajonal, duke kontribuar në integrimin e vendeve tona në rajon dhe për më shpejt në integrimin, në Unionin Evropian", deklaroi Hajdari.

Turisti në Kosovë, siç tha presidenti i Klubit Alpin-Italian-CAI, Antonio Montani, ka mundësi të kërkojë aventurë, përgjegjësi dhe origjinalitet.

"Turisti kërkon aventurë, përgjegjësi dhe kërkon origjinalitet në një vend të caktuar. Këto tri i kam gjetur në Kosovë, dhe në një vend jo më larg se 1 orë e 20 minuta fluturim nga Milano. Zonja ministre Bjeshkët kanë nevojë për investim, kujdes dhe investim intelegjent. Shtigjet janë mirëmenaxhim i bjeshkëve", tha ai. 

Në anën tjetër, shefi i sektorit të Mjedisit të Agjencisë Italiane për Bashkëpunim Zhvillimor në Ballkanin Perëndimor, Giovanni Timellero theksoi se sfidë për turizmin viteve të fundit ka qenë pandemia.

"Për neve ky projekt paraqet një mundësi shumë të madhe për promovimin e resurseve natyrore të vendit dhe një hap të zhvillimit socio-ekonomik...gjatë viteve të fundit për shkak të pandemisë që ka goditur në mënyrë të veçantë sektorin e turizmit. Kësaj sfide i shtohet edhe vështirësia me te cilën Kosova është ballafaquar për të qenë pjesë e një rrjetit ndërkombëtar të turizmit", tha ai.

Se ky projekt do të ketë ndikim në zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit, e tha edhe kryetari i Federatës së Bjeshkatarëve dhe Alpinistëve të Kosovës, Arianit Nikqi, i cili shtoi se do ta inkuadrojë Kosovën në shtegun "Via Dinarica".

Po ashtu edhe kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri u shpreh se zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik dhe turizmi janë të pandara për komunën që drejton.

Ky projekt është financuar nga Agjencia Italiane për Bashkëpunim Zhvillimor në bashkëpunim me Ambasadën Italiane në Prishtinë. /Sh. Pajaziti

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024