Kulla: Qeveria e Kosovës të bëhet gati të mbrojë shtëpinë e vet, me apo pa NATO-n
Intervista
Lexohet për: 6 min.
11 muaj më parë
Linku u kopjua

Eksperti shqiptar i çështjeve të sigurisë, Ilir Kulla, thotë se me rrëmbimin e tre policëve të Kosovës në Leposaviq nga njësitë speciale të ushtrisë së Serbisë dhe heshtjen e ndërkombëtarëve përballë një agresioni të tillë, vendi ndodhet pothuajse në gjendje lufte. Për këtë, ai thekson se Qeveria e Kosovës duhet të bëhet gati të mbrojë vendin me apo pa Aleancën Euroatlantike.

Kulla për KosovaPress thotë se Lista Serbe, e cila dirigjohet nga Beogradi ka marrë përsipër të krijojë një krizë, e cila do të çonte në ndarjen e Kosovës dhe zhbërjen e saj.

Derisa thekson se bota ndodhet në një epokë të re, ku fiton i forti dhe pëson i dobëti, ai thotë se Kosova tashmë ka humbur kohë sa i përket fuqizimit të ushtrisë dhe policisë. Ndërkohë që, apelon institucionet e Kosovës të angazhohen në lobim diplomatik.

“Unë të kam thënë para një viti, kur filloi lufta në Ukrainë, se Kosova duhet të bëhet gati dhe të armatoset për një luftë, të stërvitet dhe të jetë e gatshme për një luftë. Me ose pa KFOR-in, me apo pa NATO-n, Qeveria e Kosovës të bëhet gati të mbrojë shtëpinë e vet... Unë mendoj që Kosova ka humbur një vit e gjysmë kohë, që nga fillimi i luftës në Ukrainë, që të përgatitë të madh e të vogël që do të mund të vinte një ditë e një agresioni të mirëfilltë dhe ky mund të jetë sinjali i këtij agresioni të mirëfilltë”, thotë Kulla.

E heshtja e ndërkombëtarëve përballë zhvillimeve në Kosovë, ku serbët që prej 26 majit sulmuan Policinë, KFOR-in dhe gazetarët, ai thotë se dëshmon frikën e tyre ng afrimi i madh i Vuçiqit me Putinin.

“Kjo situatë ka qenë aty, e kanë ditur të gjithë që ka qenë aty, tani veçse është shpërfaqur pasi organizimi politik i Listës Serbe në Kosovë, i cili është drejtpërdrejt një zgjatim i Beogradit, ka marrë përsipër që të fillojë një krizë që do të çojë në ndarjen e Kosovës dhe zhbërjen e saj... (Pas min 2) Nëse bashkësi ndërkombëtare quhen ata që në të njëjtën kohë pretendojnë të vendosin sanksione edhe ndaj Rusisë edhe ndaj Kosovës, kemi të bëjmë me një realitet gati në dëlirë... Ajo është një pengmarrje e mirëfilltë dhe nuk është se janë marrë peng tre trafikantë siç i quajnë mediat e Beogradit ‘terrorist’. Nëse ndërkombëtarët kanë frikë se Vuçiqi shkon me Rusinë dhe për këtë i shantazhin, kjo tregon se jemi në një epokë tjetër ku fiton më i forti dhe pëson më i dobëti”, thotë ai.

Ai nuk mohon mundësitë për përshkallëzim të mëtejmë të situatës, derisa shton se kjo që po ndodh në Kosovë shumë shpejt mund të ngjajë edhe në Bosnje e Hercegovinë.

“Rolet janë shumë të qarta, çështje tjetër që në këtë moment bashkësia ndërkombëtare e ka hall që të mos ikë Serbia me Rusinë dhe është në gjendje të japë çdo lloj koncesioni. Por, kini parasysh se këtë që po e shohim në Kosovë, shumë shpejt do ta shohim në Bosnje dhe do të gjendemi përball situatave shumë më të pakënaqshme se tani. Prandaj, është shumë e rëndësishme që të ketë një vetëdijësim të klasës politike të Kosovës, jo vetëm për unitet, por edhe fillimin e një lobimi diplomatik në të gjitha kryeqytet e rëndësishme të botës”, thotë Kulla.

Ilir Kulla, ish-këshilltari për siguri i presidentit shqiptar, thekson se palët duhet të kthehen në tryezën e bisedimeve, derisa jep edhe opsionet se çfarë mund të bëhet për të dalë nga gjendja, në të cilën ndodhet Kosova.

“Palët duhet të kthehen në tryezën e bisedimeve, Kurti duhet të mendojë ndoshta të shpallë zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë dhe të ketë një rilegjitimim politik të popullit të Kosovës drejt kësaj situate të re dhe të paprecedentë, sepse jemi gati në gjendje lufte, ose të krijojë kushte të një bashkëqeverisjeje të gjerë me disa nga forcat politike të cilat janë pro ruajtjes së shtetësisë dhe sovranitetit të Kosovës. Kjo kërkon që palët të kthehen në tryezën e dialogut dhe të koordinohen me aleatët dhe partnerët ndërkombëtarë. Si thuhet, ‘këto gjëra zgjidhen me shtatë hile dhe një trimëri’. Pra, trimëria është bërë dhe tani duhet kthyer diplomacisë, zgjidhjes. Dhe, në anën tjetër duhet të vazhdojë ndëshkimi i kriminelëve që janë me emër dhe mbiemër që e kanë kthyer veriun e Kosovës në vatër të krimit të organizuar”, thotë Kulla, derisa shton se të njëjtit paraqesin rrezik edhe për Serbinë, pasi që të njëjtit janë forcuar me armatim dhe para nga krimi, dhe mund të kthehen edhe në Beograd për të rrëzuar pushtetin.

https://kosovapress.com/admin/%e2%80%8bkurti-pas-mbledhjes-se-keshillit-te-sigurise-rrembimi-i-policeve-agresion-i-serbise-ndaj-kosoves/

Eksperti i sigurisë flet edhe për anulimin e mbledhjes së dy qeverive, e cila ishte paraparë të mbahej të mërkurën (14 qershor). Sipas tij, të dy kryeministrat shqiptarë duhet të lënë anash energjitë negative, pasi siç thotë ai, një përçarje brenda shqiptarëve do t’i shërbente interesave ruso-serbe.

“Ta kemi të qartë se kryeministri i Shqipërisë, presidenti i Shqipërisë, e kanë detyrë kushtetuese të merren me shqiptarët jashtë kufirit. Kështu që, për këtë nuk duhet të kemi kurrfarë dyshimi pse merret, e ka detyrë kushtetuese të merret. Çështja është që do të ishte mirë ta bënte në koordinim me Qeverinë e Kosovës, dhe unë mendoj që këto energji negative nuk na vlejnë neve, por i vlejnë Beogradit dhe është mirë që përtej emocioneve negative mes njëri tjetrit, Kurti që ka bërë fushatë kundër në Tiranë, dhe Rama të kundërtën në Prishtinë, duhet t’i lëmë anash sepse këtu po flasim për politikë kombëtare dhe politikë të jashtme”, thotë eksperti i sigurisë.

Tre zyrtarë kufitarë janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vijën kufitare në veri të Kosovës. Policia ka bërë të ditur se njësia policore ka qenë në detyrë thellë brenda territorit të Kosovës për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale për kontrabandë.

https://kosovapress.com/admin/kidnapimi-i-tre-policeve-musliu-agresion-brenda-territorit-nga-njesite-speciale-te-ushtrise-serbe/
A do te jetë qeveria e ardhshme VV-PDK?
Po
Jo
Nuk e di
Voto
32
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024