Një muaj paraburgim për Millenkoviqin
Lajme
Lexohet për: 2 min.
10 muaj më parë
Linku u kopjua

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar një muaj paraburgim Millun Millenkoviq-Llune, i dyshuari për organizimin e sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan. Millenkoviq u arrestua dje në veri të Mitrovicës nga Policia e Kosovës.

Gjykata ka shkruar se “i pandehuri M.M dyshohet se me datë 06.12.2022 në bashkëveprim edhe me persona të tjerë, në Zyret e Komisionit Zgjedhorë në Mitrovicën e Veriut, me qëllim të frikësimit serioz të popullatës, për të pamundësuar zgjedhjet lokale si dhe me qëllim që të destabilizojnë ose shkatërrojnë strukturat themelore politike dhe kushtetuese të Republikës së Kosovës, përderisa zyrtarët e KQZ-së me zyrtarët policor kishin shkuar për të hapur zyrën, i pandehuri M.M së bashku me persona tjerë kishin hedhur dy granata dore si dhe dy shok bomba me ç’rast njëra njëra granatë dhe dy shok bombat kishin shpërthyer dhe si rezultat i kësaj, ishin shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale si dhe ishte rrezikuar jeta e zyrtarëve të KQZ-së dhe zyrtarëve policor”.

Lidhur me kërkesën e prokurorisë për masën e paraburgimit, Gjykata Themelore ka vendosur për shkak të të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Kryerja e veprës terroriste në bashkëkryerje nga neni 129 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.

“Gjyqtari i procedurës paraprake e ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit M.M dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, paraburgimi është caktuar  në harmoni me nenin 184  paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 e 1.2 pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPP-së, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale Kryerja e veprës terroriste në bashkëkryerje nga neni 129 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, është bërë e ditur në komunikatë.

Të martën, Policia e Kosovës ka arrestuar një nga organizatorët e sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në veri, Milun Milenkovic-Llune.

Gjatë arrestimit të tij, janë sulmuar tre zyrtarë të Policisë së Kosovës. 

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024