Rama: Plani franko-gjerman, dhurata më e madhe e mundshme për Kosovën
Lajme
Lexohet për: 3 min.
8 muaj më parë
Linku u kopjua

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se plani franko-gjerman është dhurata më e madhe që i është bërë Kosovës. Ai ka thënë se ky dokument është më i miri që ka mundur të shkruhej.

Rama ka folur në një konferencë të jashtëzakonshme për media, ku ka bërë të ditur se i ka kërkuar kryeministrit Albin Kurti një format tjetër takimi, ndryshe nga mbledhja e dy qeverive e cila ishte planifikuar të mbahej nesër në Gjakovë.

“Nuk e kam çuar atë draft të Putini, por te dy njerëzit që i kanë bërë gati Kosovës dhuratën më të madhe të mundshme, ai plan që është në tavolinë, i ashtuquajturi plani franko-gjerman është gjëja më e bukur e mundshme që mund të shkruhej nga politikanët dhe juristët së bashku, është një masterpiece of politics, kaq di të them. Dhe Kosova e ka në tavolinë, tani mua më ka mësuar edhe historia, por edhe jeta, që kur i bën shumë naze një marrëveshje që ta vënë në tavolinë fuqitë e mëdha, marrëveshja tjetër nuk është më aq e mirë”, ka thënë Rama.

Lajmi i plotë është në sistemin me parapagim.

Pak para mbajtjes së kësaj konference, KosovaPress ka pyetur Qeverinë e Kosovës lidhur me anulimin e mbledhjes së dy qeverive, por nga ekzekutivi kanë mohuar diçka të tillë.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë për KosovaPress se “mbledhja nuk është anuluar dhe gjithçka është gati në Gjakovë.

“Mbledhja nuk është anuluar. Gjithçka është gati në Gjakovë. Kryeministri Kurti tani po merr pjesë në koncertin e sontëm atje të Ansamblit Shota dhe muzikantëve nga Kosova nga Shqipëria që është edhe si uvertyrë për mbledhjen e nesërme. Për anulimin po dëgjojmë tani nga ju”, ka thënë Kryeziu për KosovaPress.

Javën e kaluar, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se e ka dorëzuar një draft të Asociacionit të komunave me shumicë serbe te presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Olaf Scholz.

Ai ka deklaruar se pret që një dokument i tillë të çojë dialogun Kosovë-Serbi në një tjetër nivel.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se “nuk kam dyshim që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama beson që propozimi i tij për Draftstatutin është i mirë, dhe duke qenë kështu atëherë unë çka propozojë është që kryeministri Rama këtë draft për pakicat kombëtare të ua propozojë presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq më së largu në takimin e radhës të “Ballkanit të Hapur” për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024