Vitia: “Pharma Leader” dyshohet se ka falsifikuar dokumentet në tenderin për insulina
Lexohet për: 2 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Ministria e Shëndetësisë ka dorëzuar prova për hetim, me dyshimet për mashtrim nga kompania “Pharma Leader” lidhur me tenderin për insulina.

Ministri i MSh-së Arben Vitia deklaroi se ky operator ekonomik dyshohet se nuk ka pasur asnjë marrëveshje për të importuar insulina në Kosovë.

Lidhur me këtë, ai në konferencë për media shtoi se kanë njoftuar zyrtarisht se ky operator ekonomik nuk ka pasur leje për import nga prodhuesi amerikan “Eli Lilly” e as të kompanisë në Maqedoni të Veriut.

Vitia tha se verifikimin për vërtetësinë ose jo të këtij dokumenti të pretenduar si Ministri e Shëndetësisë, e kanë pranuar ditën e djeshme pas përfundimit të orarit administrativ.

“Jemi sot këtu që ta shprehim shqetësimin tonë të thellë lidhur me dyshimet për veprën penale ‘falsifikim i dokumentacionit në tender nga ana e operatorit ekonomik’ “Pharma Leader”. Dje në datën 12 qershor, jemi njoftuar zyrtarisht se asnjëherë, në fakt kompania “Pharma Leader” në dokumentacionin e fundit nuk ka pasur asnjë leje apo marrëveshje për të importuar insulina në Republikën e Kosovës. As nga prodhuesi amerikan, as nga kompania në Maqedoni të cilin pretendon”, tha Vitia.

Tutje, Vitia ka treguar se si kompania “Pharma Trade” në Maqedoni të Veriut kishte thënë se dëshmia e ofruar nga “Pharma Leader” nuk është valide.

Bazuar në verifikimin e dëshmive të prezantuara, Vitia shtoi se dyshohet se ky operator ekonomik ka kryer veprën penale të falsifikimit të dokumenteve.

Ministri i Shëndetësisë tha po ashtu se edhe më parë u kanë bërë thirrje kompanive për regjistrim të insulinave. Ndërkaq, bëri të ditur se ditën e sotme kanë dorëzuar këto prova për hetim në organet kompetente.

Sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi shtoi se paraditen e sotme kanë bërë disa telefonata me përfaqësuesit e “Pharma Trade” në Maqedoninë e Veriut. Po ashtu, theksoi se tenderi do të rihapet sërish./Sh.Pajazit/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024