145 vjet nga formimi i Lidhjes së Prizrenit
Lajme
Lexohet për: 5 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Sot, mbushen 145 vjet që kur më 10 qershor të vitit 1878 ka filluar organizimi dhe themelimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Është kjo njëherësh një ndër Lidhjet më të organizuara politike gjithëkombëtare pas Lidhjes dhe themelimit të Kuvendit të Lezhës të marsit të vitit 1444, nën organizimin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe udhëheqësve të principatave, përkatësisht të princave shqiptarë në shekullin e 15.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit në historinë e popullit shqiptar të kohës së re, historikisht është tubimi më i rëndësishëm kombëtar shqiptar.

Komiteti i Stambollit i themeluar nga ajka kombëtare e kohës, më 1877, me qëllim të çlirimit dhe të ruajtjes së territoreve shqiptare nga hegjemonizmi sllave dhe ai grek, pasi që Perandoria turke pas Tanzimatit (1848) dhe luftërave ruso-turke më 1875/76, me shpejtësi është goditur dhe tronditur nga e ashtuquajtura “Kriza Lindore”, shqiptarët, të cilët kanë vepruar dhe punuar në kuadër të Perandorisë në fjalë, me kohë kanë nuhatur rrezikun e copëtimit të trojeve të tyre, andaj, ata me shpejtësi kanë themeluar “Komitetin e Shpëtimit” të trojeve etnike.

Komitetin e Stambollit e kanë përbërë një plejadë intelektualësh më të shquar të kombit në kohën aktuale të krizës lindore: Pashko Vasa, Jani vreto, Ymer Prizreni, Zia Prishtina, Sami Frashëri, Ahmet Korenica, Mihal Harito, Iljaz Dibra, Mehmet Ali Vrioni, Seid Toptani, Mustafa Nuri Vlora, Mon Tahiri etj. Këtyre intelektualëve i është bashkuar ideologu dhe patrioti i shquar i familjes së njohur Frashëri, Abdyl bej Frashëri.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit ka pasur karakter gjithëkombëtar, kurse Prizreni nuk është zgjedhur rastësisht kryeqytet dhe seli, në të cilin është mbajtur Kuvendi mbarëkombëtar shqiptar më 10 qershor 1878.

Delegatët që kanë marrë pjesë në Kuvendin e Përgjithshëm kanë pasur për çështjen kryesore të ditës një unitet të plotë mendimi; të gjithë të vendosur për të kundërshtuar me çdo kusht copëtimin e trojeve shqiptare, për të mbrojtur tërësinë tokësore të Shqipërisë.

Mendim të njëjtë kanë shprehur delegatët që u takonin qarqeve atdhetare edhe për karakterin dhe programin politik të organizatës, që do të themelonte Kuvendi. Ata kanë kërkuar me këmbëngulje që Kuvendi, ashtu siç ishte parashikuar prej tyre, të formonte një Lidhje Shqiptare me karakter kombëtar.

Në ditën e parë të punimeve në Kuvend kanë folur delegatë të të gjitha grupimeve politike. Nga fjalimet që janë mbajtur në atë ditë është ruajtur vetëm një fragment i fjalës së Abdyl Frashërit, kryetar i Komitetit të Stambollit dhe delegat i Toskërisë, i vilajetit të Janinës.

Duke mbrojtur platformën atdhetare të lëvizjes kombëtare, ai i ka ftuar të gjitha krahinat shqiptare që të bashkoheshin si një trup i vetëm për të mbrojtur mbarë atdheun nga rreziku i asgjësimit. Abdyli ndër të tjera ka thënë: “Qëllimi i Kuvendit është që t’ua presim hovin armiqve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë”.

Delegatëve të grupimit atdhetar, i është dashur të përballeshin në Kuvend si me qëndrimet e dëmshme të qarqeve pro Turqisë, ashtu autoriteteve qeveritare osmane, të përfaqësuara nga mytesarifi turk i Prizrenit, Qamil Beu, që ka qenë i pranishëm në atë tubim. Ata janë përpjekur të pengonin bashkimin e shqiptarëve në një lidhje kombëtare.

Megjithatë, Kuvendi i Prizrenit e ka përmbushur misionin e tij historik kombëtar. Akti më i rëndësishëm i tij ka qenë vendimi për themelimin e një organizate me karakter politik e ushtarak, të një Lidhjeje, me një qendër të vetme drejtuese dhe me degë të saj në të gjitha krahinat e vendit, e cila do të merrte përsipër detyrën që të mbronte me çdo mjet interesat e vendit.

Po atë ditë Kuvendi Kombëtar ka miratuar tekstin e një proteste, drejtuar Kongresit të Berlinit, me anën e së cilës është ngritur zëri kundër shkëputjes së krahinave shqiptare në favor të shteteve fqinje. Sipas traditës, së bashku me formimin e Lidhjes është shpallur edhe një besë e përgjithshme, në bazë të së cilës është dashur të pushonin menjëherë të gjitha veprimet e gjakmarrjes ndërmjet banorëve të krahinave që janë përfaqësuar në Kuvendin e Prizrenit.

Vendimi i Kuvendit të Prizrenit për themelimin e Lidhjes ka qenë një fitore e madhe e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, pasi me anën e tij i është dhënë goditja e parë dhe e fuqishme përpjekjeve të Stambollit për ta veshur Lidhjen me karakter islamik dhe janë hedhur themelet e një organizate kombëtare shqiptare, e cila, qysh në ditën e parë të saj, ka pasur një karakter atdhetar.

Menjëherë pas themelimit të Lidhjes janë formuar organet e saj të larta. Në krye të Lidhjes ka qëndruar Këshilli i Përgjithshëm me funksione legjislative dhe me seli në Prizren, nga i cili do të vareshin degët krahinore, ndërsa kryetar është zgjedhur Iljaz pashë Dibra./KosovaPress

Si e vlerësoni punën e Arbërie Nagavci në krye të Ministrisë së Arsimit?
Shumë të mirë
Mirë
Dobët
Shumë të dobët
Voto
9
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024