Kryetari i Alenacës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka theksuar se Kosova po kalon momente të vështira, për shkak të kryeneçësisë së kryeministrit Albin Kurti dhe pavendosmërisë së presidentes së vendit, Vjosa Osmani.
Ish-kryeministri Haradinaj ka shkruar në Facebook se Kosova po kalon momente vendimtare e as ata e as ndjekësit e tyre, nuk janë duke e kuptuar rrezikun që paraqet izolimi nga aleatët perëndimorë dhe veprimet që janë përmbysje e gjithë asaj që është arritur deri më sot.Haradinaj ka thënë se kryeministri Kurti e ka momentin e fundit të kalojë në anën e duhur, dhe kjo është thirrja e tij e fundit për të.
“Kryeministri e ka momentin e fundit të heqë dorë nga kursi i mosveprimit e të kalojë në anën e duhur. Vetëm kështu, e të koordinuar me Amerikën dhe BE-në, fitohet beteja e finale me Serbinë. Është thirrja ime e fundit që Kryeministri dhe Presidentja të rreshtohen me aleatët dhe ta mbyllim njëherë e përgjithmonë marrëveshjen me njohje reciproke me Serbinë. Mos e përjashtoni veten nga ky proces”, ka shkruar ai.