Zëdhënësi i Shtabit të KFOR-it, kolonel Andrea Gallieni, ka folur për zhvillimet e fundit në veri të vendit duke theksuar se nuk kanë afat se sa do të qëndrojnë në komunat veriore.
Sipas tij, derisa të ketë situatë të tillë në veri, do të jenë të pranishëm trupat e KFOR-it.Ai ka theksuar se më 29 maj ushtarët e KFOR-it janë përfshirë në një protestë dhunshme dhe sipas tij ishte e qartë se prapa kishte grupe kriminale që tentonin t’i sulmonin trupat paqeruajtëse.
“KFOR-i ishte aty për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të protestës dhe më 29 maj u shfaq një protestë e madhe. Ushtarët e KFOR-it u përfshinë në një protestë të dhunshme. Gjatë protestës, shumë ushtarë të KFOR-it u plagosën nga gurët, mjetet shpërthyese të improvizuara dhe armët. Ishte e qartë se ku njerëzit përpiqeshin të manifestoheshin dhe të protestonin në mënyrë paqësore, por ishte gjithashtu e qartë se pas tyre fshiheshin disa grupe kriminale që tentonin të sulmonin trupat e KFOR-it”, ka thënë ai.
Në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, serbët po protestojnë duke kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në objektet komunale, si dhe praninë e Policisë së Kosovës.
Si pasojë e veprimeve të protestuesve kanë mbetur të lënduar disa policë dhe pjesëtarë të KFOR-it. Gjithashtu, janë djegur dhe dëmtuar vetura të Policisë së Kosovës dhe të mediave.
Ky veprim i institucioneve të Kosovës është kritikuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian derisa kanë kërkuar shtensionim të menjëhershëm të situatës në veri.
Javën që shkoi, u bë e ditur kërkesa e ndërkombëtarëve për zgjedhje të reja në katër komunat veriore të Kosovës.