Shitën mjaltë të dëmshme, arrestohen pesë persona
Lajme
Lexohet për: 3 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Pesë persona janë ndaluar nën dyshimin për kontrabandim të mallrave, prodhim dhe vënie në qarkullim të artikujve të dëmshëm ushqimor, si dhe mashtrim të blerësve. Operacioni i gjerë i Policisë së Kosovës është realizuar në lokacione të ndryshme në Prishtinë, Ferizaj dhe Prevallë.

Personat me inicialet K.Gj, E.Gj, Q.Sh, M.Sh dhe E.I, dyshohet se nga marsi i vitit 2023, përmes pikës kufitare që lidh Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, kalojnë vijën kufitare duke bartur mallra dhe shmangin kontrollin doganor.

“Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i arsyeshëm se të pandehurit nga marsi i vitit 2023 e në vazhdimësi edhe tani, përmes pikës kufitare që lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut,  të pandehurit, kalojnë vijën kufitare duke bartur mallëra dhe shmangin kontrollin doganorë, ashtu që me mjete të ndryshme të transportit duke shfrytëzuar rrugët ilegale nëpër rrugë malore dhe rrugë të tjera kontrabandojnë mallra të emëruara si “mjaltë”  me origjinë nga vende të ndryshme, e cila futet në paketime të ndryshme dhe në kavanoz dhe këto mallra futen në Kosovë duke i’u shmangur kontrollit doganorë dhe kontrolleve sanitare nga AUV në lidhje me cilësinë e këtyre produkteve”, ka njoftuar Prokuroria Themelore në Ferizaj.

Sipas Prokurorisë, malli i kontrabanduar ishte vënë në qarkullim për shitje, pa u bërë kontrolli i nevojshëm nga enti i autorizuar.

“Të njëjtit, gjatë periudhës kohore të lartëcekur, në Ferizaj dhe në vende të ndryshme nëpër Kosovë, mallin e kontrabanduar e vëjnë në qarkullim për shitje pa u bërë kontrolli i nevojshëm nga enti i autorizuar- AUV në Kosovë, duke e plasuar nëpër lokale të ndryshme nëpër Ferizaj dhe nëpër vende të tjera në Kosovë duke qenë të vetëdijshëm se mjalti i kontrabanduar nuk i plotëson kushtet e nevojshme për konsum dhe se përmbanë substanca të dëmshme për shëndetin dhe paraqet rrezik të madh për shëndetin e qytetarëve të cilët e blenë këtë produkt, me këtë ekziston dyshimi i arsyeshëm që secili veç e veç ka kryer  veprën  penale “Prodhimi dhe vënia në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimorë” nga neni 261 1 dhe 2, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”,  ka theksuar Prokuroria.

Të dyshuarit ngarkohen edhe për mashtrim të blerësve.

“Të njëjtit, gjatë kësaj periudhe, në Ferizaj dhe në vende të ndryshme nëpër Kosovë, me dashje dhe me qëllim të mashtrimit të blerësve vënë në qarkullim prodhime me shenjën në të cilën janë të shënuara të dhëna të cilat nuk i përgjigjen përmbajtjes, llojit, prejardhjes dhe kualitetit të produktit, me këtë ekziston dyshimi i arsyeshëm që secili veç e veç ka kryer  veprën  penale “Mashtrimi i blerësve” nga neni 293 paragrafi 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, ka njoftuar Prokuroria.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024