Dhënie ndihme për kalim kufiri, dy shtetas nga Kosova arrestohen në Shqipëri
Lexohet për: 2 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua
Dy shtetas nga Kosova u arrestuan nga Policia në Shqipëri , pasi u kapën në flagrancë, duke transportuar kundrejt pagesës 500 euro për person, 3 emigrantë që do të kalonin ilegalisht kufirin në Shkodër.
Sipas policisë, O. B., 19 vjeç dhe F. Sh., 34 vjeç, banues në Kosovë u arrestuan në kuadër të operacionit të koduar “Road Guard 61”.
“Në aksin nacional Jorgucat-Tepelenë, në vendin e quajtur “Votuca”, shtetasi F. Sh., duke drejtuar automjetin tip “Volkswagen”, nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar dhe ka vazhduar lëvizjen. Shërbimet e Policisë kanë reaguar menjëherë dhe pas ndekjes, në afërsi të qytetit të Memaliaj, kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin F. Sh. dhe pasagjer shtetasin O. B., automjet me të cilin këta dy shtetas po transportonin kundrejt pagesës 500 euro për person, 3 emigrantë nga vendet MENA, në drejtim të Shkodrës, ku ata synonin të kalonin ilegalisht kufirin”, bëri të ditur Policia e Shtetit, shkruan Atsh. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti, dy aparate celulare dhe një shumë parash.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.