Situata në veri, ministri i Mbrojtjes takoi ambasadorin Abbott
Lajme
Lexohet për: 2 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka pritur në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, me të cilin ka biseduar për situatën aktuale në veri të vendit. Mehaj ka thënë se e ka siguruar atë që Forca e Sigurisë së Kosovës nuk është e përfshirë në aktivitete që janë jashtë fushës së saj të veprimit.

Mehaj ka thënë se në këtë takim është theksuar nevoja për normalizimin e gjendjes në veri të Kosovës.

“Gjatë takimit diskutuam për situatën e sigurisë në veri të vendit tonë si dhe nevojën për normalizimin e gjendjes. Ambasadori Abbott shprehu shqetësimin e tij për gjendjen në veri të vendit dhe nevojën për gjetjen e një rrugëzgjidhje për të kthyer normalitetin, për të mirën e të gjithë qytetarëve të vendit por dhe të partneritetit në mes Kosovës dhe vendeve të NATO-s. Ambasadorin Abbott e sigurova që Ministria e Mbrojtjes dhe FSK është duke zhvilluar aktivitetet në përputhje me planet e saj të zhvillimit dhe nuk është e përfshirë në aktivitete që janë jashtë fushës së saj të veprimit”, ka deklaruar Mehaj.

Në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, serbët po protestojnë duke kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në objektet komunale, si dhe praninë e Policisë së Kosovës.

Si pasojë e veprimeve të protestuesve kanë mbetur të lënduar disa policë dhe pjesëtarë të KFOR-it. Gjithashtu, janë djegur dhe dëmtuar vetura të Policisë së Kosovës dhe të mediave.

Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar u detyruan të futën në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë.

Ky veprim i institucioneve të Kosovës është kritikuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian derisa kanë kërkuar shtensionim të menjëhershëm të situatës në veri.

Javën që shkoi, u bë e ditur kërkesa e ndërkombëtarëve për  zgjedhje të reja në katër komunat veriore të Kosovës.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024