Përfaqësuesit e Listës Serbe për herë të parë nuk shihen mes protestuesve në Zveçan
Siguri
Lexohet për: 2 min.
8 muaj më parë
Linku u kopjua

Dhjetëra qytetarë serbë në Zveçan janë duke qëndruar nëpër tendat e improvizuara të vendosura para ndërtesës së kësaj komune, duke protestuar kështu kundër prezencës së Policisë së Kosovës dhe kryetarëve shqiptarë të komunave veriore të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit.

Ndërsa përfaqësuesit e Listës Serbe për herë të parë nuk shihen në mesin e protestuesve.

Protestuesit herë pas here po dëgjojnë muzikë me këngë nacionaliste kushtuar Kosovës.

https://kosovapress.com/admin/qindra-protestues-edhe-sot-para-objekteve-komunale-ne-veri/

Ushtarët e KFOR-it në numër  simbolik dhe pa armatim janë duke qëndruar përballë protestuesve.

Situata në këtë komunë aktualisht është e qetë. 

Situata në tri komunat në veri të vendit është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar u detyruan të futën në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës.

Si pasojë e protestave të dhunshme, janë plagosur gjashtë policë të Kosovës dhe  30 ushtarë të KFOR-it, ndërkohë që serbët kanë sulmuar edhe Policinë e Kosovës dhe gazetarët.

Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, derisa anuluan edhe pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi Prishtina refuzoi t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit.

Ndërsa mbrëmë (e hënë) kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit të mbrëmshëm me emisarët evropianë dhe amerikanë Miroslav Lajcak dhe Gabriel Escobar, ka thënë se rruga përpara është ndalimi i menjëhershëm i sulmeve nga ekstremistët dhe grupet kriminale serbe ndaj organeve të sigurisë dhe gazetarëve. Ndërsa emisarët parashtruan tri kërkesa për të cilat deklaruan se presin të dëgjohen nga Qeveria e Kosovës.

“I pari është deeskalimi i situatës në terren në tri komunat veriore, pastaj zgjedhje të shpejta në këto komuna si dhe rikthimi në dialog.”

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024