Kurti përmend emrat e organizatorëve të protestave të dhunshme në veri
Lajme
Lexohet për: 3 min.
10 muaj më parë
Linku u kopjua

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përmendur emrat e atyre që sipas tij janë organizatorët e trazirave në veri të vendit.

Kurti ka thënë se rolin kryesor në organizimin e protestuesve në teren janë duke e kryer anëtarët e formacionit ilegal të së ashtuquajturës mbrojtje civile dhe ish pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

“Millorad Jeftiq është njëri nga drejtuesit e këtij formacioni ilegal, shtëpia e tij në Zveçan është shndërruar në bazë qëndrimi të drejtuesve të kësaj strukture ilegale, gjithashtu ka prezencë të madhe të përfaqësuesve politik të Listës Serbe në atë shtëpi, ata janë duke punuar në mobilizimin e strukturave atje për prezencë sa më të madhe para objekteve komunale dhe duke orkestruar sulme të ardhshme. Miqko Jeftiq, pjesëtar i formacionit ilegal të ashtuquajtur mbrojtje civile në Zveçan, bashkë me të, Rajko Jeftiq ish këshilltar i Listës serbe në Zveçan...", ka deklaruar Kurti.

Në seancën e Kuvendit, Kurti ka përmendur edhe personat e maskuar në protestën në Zveçan.

“Personat e maskuar që ishin pjesë e protestës së dhunshme në Zveçan janë: Nikolla Axhiq, ka hedhur koktej molotovi në Zveçan dhe është pjesëtar i organizatës kriminale serbe Servena Brigada, Milan Zhivkoviq po ashtu pjesëtar i të nejtës organizatë...", ka thënë ai.

Shefi i ekzekutivit ka përmendur edhe personat që sipas tij janë të përfshirë në sulm ndaj KFOR-it.

“Personat e tjerë të përfshirë në sulm ndaj KFOR-it, sepse është mirë që edhe vendorët edhe ndërkombëtarët t’i dinë këta emra, se nuk i ka sulmuar populli serb, i kanë sulmuar milicia fshiste, Vladimir Radivojeviq, i cili ka njohje të drejtpërdrejt me presidentin Vuciq...", ka theksuar ai.

Gjithashtu, Kurti ka kërkuar mbështetje për Policinë e Kosovës e cila sipas tij është në vijë fronti me miliconë fashiste.

"A e kuptoni se me çfarë kemi të bëjmë, me milici fashiste dhe për këtë përballje Policisë së Kosovës i duhet Qeveria e Republikës së Kosovës, e ka. Policisë së Kosovës i duhet Kuvendi i republikës, ju tregoni a e ka, Policisë së Kosovës i nevojitet populli i Kosovës, e ka, pra është në dorën tonë kjo fitore e radhës për sundim të ligjit dhe kushtetueshmëri", ka thënë Kurti.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024