Rafuna dhe Cadez nga Serbia janë takuar me Varhely
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, në cilësinë e Kryetarit të Bordit Menaxhues të Forumit Investues të Ballkanit Perëndimor, i shoqëruar nga kryetari i Odës Ekonomike të Serbisë, Marko Cadez të martën janë takuar me Komisionerin për Fqinjësi dhe Zgjerim i BE-së, Oliver Varhely, me të cilin kanë biseduar për shtimin e bashkëpunimit ekonomik mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së.
OEK njofton se Rafuna ka thënë se takimi me komisionarin Varhelyi ishte mundësi e mirë për të theksuar nevojën për bashkëpunim në mes të bizneseve të Ballkanit Perëndimor me ato në BE-në dhe se kompanitë e rajonit duan të jenë më prezentë në tregun e BE-së.
"Ne kemi marrë mbështetje të plotë dhe shumë pozitive nga Komisioneri, jo vetëm për Dhomat e Tregtisë të Ballkanit Perëndimor, por edhe për sektorin privat, në mënyrë që të gjitha marrëveshjet e nënshkruara të zbatohen plotësisht dhe sektori privat të përfitojë sa më shumë", ka thënë Rafuna, thuhet në komunikatë.
Në këtë takim, kryetari Rafuna ishte i shoqëruar nga zëvendës-kryetari i Bordit Menaxhues të Forumit Investues të Ballkanit Perëndimor, në të njëjtën kohë edhe kryetar i Odës Ekonomike të Serbisë, Marko Cadez.