Deputeti i LVV-së insiston: Kryetarët në komunat veriore do të qëndrojnë në objektet komunale
Intervista
Lexohet për: 3 min.
11 muaj më parë
Linku u kopjua

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, thotë se dy kryetarët nga radhët e tyre në komunat veriore, do të vazhdojnë të qëndrojnë në objekte komunale, pavarësisht protestave dhe kërkesave ndërkombëtare që ata të ushtrojnë mandatin e tyre në objekte të tjera publike.

Sipas tij, kryetar i komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq dhe kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, tashmë kanë filluar të ofrojnë shërbime për qytetarët dhe t’i zbatojnë detyrimet ndaj institucioneve të Kosovës.

Ai thekson për KosovaPress, se protestat në komunën e Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit, janë të organizuara nga grupet kriminale serbe dhe të dirigjuara nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.

“Dy kryetarët nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicën e Veriut dhe Leposaviq, do të qëndrojnë, ata janë të përkushtuar me qëndru (në objekte komunale) dhe me fillu menjëherë me ofru punë dhe shërbime ndaj qytetarëve por edhe me kry detyrimet ndaj shtetit të Kosovës. Kjo është qasja e tyre, filluan dje me pagesat e faturave të energjisë elektrike që nuk është paguar që 20 vite dhe pastaj do të fillohet me adresimin e sfidave lokale, parkingjet, infrastruktura lokale...Policia e Kosovës dhe kryetarët në asnjë moment nuk duhet të lëshojnë (objektin), unë jam i bindur e aty ka pak popullsi lokale, krejt veriu mund të jetë 40 mijë banorë. (Protestat) nuk vijnë prej popullsisë lokale, ata që i pamë dje nuk janë protestues, ata janë struktura apo agjentura e drejtpërdrejtë e Vuçiqit të ndërlidhura me shërbimin e sigurisë së Serbisë”, thotë ai.

Deputeti i mazhorancës kritikon Partinë Demokratike të Kosovës, e cila sipas tij, ka sugjeruar që kryetari i komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqirin dhe ai i Zveçanit, Ilir Peci të mos ushtrojnë detyrën e tyre në objektet komunale.  

Muja arsyeton nevojën që Policinë e Kosovës të asistojë për hyrjen në objekte komunale të kryetarëve të zgjedhur në veri.

Sipas tij, zgjidhja e vetme është që të pranohen rezultatet e zgjedhjeve të 18 prillit në veri dhe strukturat kriminale atje t’i ndërpresin protestat.

Duke folur për reagimet e ashpra ndërkombëtare karshi Kosovës, Muja thotë se të njëjtat nuk do të ndikojnë në prishjen e raporteve të Kosovës me aleatët ndërkombëtar dhe veçmas ShBA-në.

Protestat në veri po vazhdojnë prej ditës së djeshme, ku qindra qytetarë serbë po kundërshtojnë hyrjen në zyrat komunale të kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit.

Në anën tjetër, bashkësia ndërkombëtare vazhdimisht është duke bërë thirrje për depërshkallëzimin e situatës në veri dhe uljen e tensioneve.

A do te jetë qeveria e ardhshme VV-PDK?
Po
Jo
Nuk e di
Voto
143
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024