KFOR: Të hënën në veri u plagosën 30 ushtarë, palët të marrin përgjegjësi për situatën
Lajme
Lexohet për: 3 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Misioni i KFOR-it në Kosovë përmes një komunikate drejtuar mediave, ka bërë të ditur se nga zhvillimet e ditës së hënë në veri mbetën të plagosur 30 ushtarë.

Aty thuhet se KFOR-i iu përgjigj sulmeve të paprovokuara të një turme të dhunshme dhe të rrezikshme, ndërkohë që kreu mandatin e saj në OKB në mënyrë të paanshme. Ndërkohë që detaje ka dhënë për të plagosurit.

“Numri i paqeruajtësve të plagosur gjatë dhunës së paprovokuar të djeshme në komunën e Zveçanit është 30. 11 ushtarë nga kontingjenti italian dhe 19 nga kontingjenti hungarez kanë pësuar lëndime të shumta, duke përfshirë thyerje dhe djegie nga mjetet ndezëse shpërthyese të improvizuara. Tre ushtarë hungarezë u plagosën nga përdorimi i armëve të zjarrit. Lëndimet e tyre nuk janë të rrezikshme për jetën”, thuhet në komunikatë.

https://kosovapress.com/admin/%e2%80%8bnate-e-qete-ne-veri-protestuesit-fillojne-te-mblidhen-edhe-sot/

Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO ka shtuar praninë e tij në katër komunat e veriut të Kosovës për të zvogëluar rrezikun e përshkallëzimit, pasi kryetarët e sapozgjedhur të komunave u përpoqën të marrin detyrën.

“Trupat e KFOR-it u sulmuan më pas nga turma gjithnjë e më agresive. KFOR-i gjithmonë vepron me vendosmëri dhe përmbajtje, brenda Rregullave strikte të Angazhimit (ROE). Në këtë rast, ajo iu përgjigj sulmeve të paprovokuara të një turme të dhunshme dhe të rrezikshme, ndërkohë që kreu mandatin e saj në OKB në mënyrë të paanshme”, thuhet aty.

https://kosovapress.com/admin/veturat-e-kohes-dhe-t7-demolohen-gjate-nates-ne-zvecan/

Bëhet e ditur se komandanti i misionit të KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, po ndjek personalisht zhvillimin e situatës dhe shpreh solidaritetin e tij me ushtarët e NATO-s që u plagosën gjatë përleshjeve dhe familjet e tyre:

“Për të shmangur përleshjet ndërmjet palëve dhe për të minimizuar rrezikun e pas përshkallëzimit, paqeruajtësit e KFOR-it parandaluan kërcënimet ndaj jetës së serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës. Të dyja palët duhet të marrin përgjegjësinë e plotë për atë që ndodhi dhe të parandalojnë çdo përshkallëzim të mëtejshëm, në vend që të fshihen pas narrativave të rreme”, bëhet e ditur të ketë thënë Ristuccia.

KFOR-i do të vazhdojë të marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, në përputhje me mandatin e tij të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024