Opozita kërkon përfshirjen e veteranëve në pagën minimale, Murati shprehet kundër
Biznes
Lexohet për: 4 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Grupi parlamentar i PDK-së, dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kanë propozuar me amendament që në Projektligjin për pagën minimale të hiqet amendamenti numër 1, që len jashtë pagës minimale veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Gjatë shqyrtimit të këtij projektligji në lexim të dytë në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, kundër këtij amendamenti ishte ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili theksoi se neni për përjashtimin e veteranëve nga paga minimale nuk duhet të hiqet.  

Ndërsa, në këtë mbledhje pati përplasje edhe ndërmjet deputetëve të VV-së dhe LDK-së.

Në emër të PDK-së, anëtari i Komisionit Ferat Shala kërkoi me amendament të hiqet neni që i largon veteranët nga paga minimale.

“Amendamenti 1, neni 2 i ndryshimit dhe plotësimit të Ligjit për veteranët e UÇK-së i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin 05-L 141, propozojmë që të fshihet nga projektligji. Arsyetim, propozimi i nenit 2 i projektligjit të fshihet, është i domosdoshëm, për faktin se përjashtimi i veteranëve të luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga paga minimale, e cila do të përcaktohet sipas kushteve që i përcakton ky Projektligj, është jo vetëm i pa papranishëm, por edhe diskriminues. Sepse përveç tjerash pensioni i tyre është i përcaktuar me ligjin bazik”, theksoi Shala.

Për këtë, ministri i Financave, Hekuran Murati theksoi se nuk është i nevojshme heqja e amendamentit numër  1 në Projektligjin për paganë minimale.

Ai tha se çështja e pensioneve për veteranët do të trajtohet me ligj të veçantë.

“Gjithsesi nuk mendoj që është i nevojshëm të fshihet ky nen”, theksoi Murati.   

https://kosovapress.com/admin/murati-nuk-duhet-bere-politike-me-ceshtjen-e-veteraneve/

Ndërsa, për një ligj të veçantë të mundshëm për veteranët, deputeti i Shala theksoi se nuk i besojnë më ministrit Murati, pasi që sipas tij, ministri në fjalë pretendon që më lehtë ka qenë me mercenarë me çliruar vendin.

Edhe AAK ka kërkesë të ngjashme për shlyerjen  amendamentit numër 1 që parasheh heqjen e veteranëve nga paga minimale.

Por, deputeti nga radhët e AAK-së, Pal Lekaj pati edhe një amendament tjetër për rritjen e pagës minimale në 370 euro.  

Deputeti nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti ka kërkuar nga ministri Murati që të tërheqin projektligjin për pagën minimale, pasi sipas tij nuk ia vlen as me diskutuar për të.

Ndërkaq, deputeti nga radhët e VV-së, Eman Rrahmani ka kërkuar detaje nga ministri Murati për ofertën e ofruar nga qeveria dhe kërkesën e veteranëve në takimet gjatë vitit të kaluar me përfaqësuesit e shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së për pagat e tyre.

Lidhur me këtë është përgjigjur ministri Murati, i cili tha se propozimi i Qeverisë ka qenë që të draftohet një ligj i ri për verifikimin e listave të veteranëve, ku për këtë ofertë ai tha se nuk ka pasur refuzim, por që nuk ka qenë e mirëpritur nga veteranët.

Deputetja anëtare e këtij Komisioni, Duda Balje theksoi se vetranët kanë merita të mëdha dhe duhet të përfshihen në ligjin për pagën minimale.

Gjatë këtij diskutimi pati edhe përplasje mes deputetit Avdullah Hotit të LDK-së dhe kryetarit të Komisionit, nga radhët e VV-së Armend Muja.

Komisioni në mbledhjen e sotme është duke shqyrtuar nen për nen amendamentet e propozuara nga deputetët e Kuvendit për Projektligjin e pagës minimale në lexim të dytë.

Ministri Murati gjatë raportimit në Komisionin për Buxhet, e ka bërë përgjegjës Kuvendin për vonimin e shqyrtimit në lexim të dytë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore. /KosovaPress/

https://kosovapress.com/admin/projektligji-per-pagen-minimale-mbetet-peng-i-ceshtjes-se-veteraneve/
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024