​Punëtorët shëndetësorë pa kontratë kolektive, në qershor presin finalizimin e saj
Shëndetësi
Lexohet për: 3 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Nga viti i kaluar punëtorët shëndetësorë në sektorin publik kanë mbetur pa kontratë kolektive sektoriale. Një draft të këtij dokumenti të rëndësishëm tashmë Federata Sindikale e Shëndetësisë e ka dërguar në Ministrinë e Shëndetësisë dhe po presin që brenda qershorit të finalizohet kontrata e re, për të cilën si organizatë kanë propozuar edhe disa risi si ajo për pagën e 13-të për punëtorët shëndetësorë.

Ndërsa, vetë ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia theksoi për KosovaPress se janë duke punuar në këtë drejtim dhe se kjo kontratë do të zbatohet në përpikëri.

Kryetarja e Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Tevide Imeri deklaron se kërkesat e punëtorëve shëndetësorë janë pothuajse të njëjta, veçse tashmë është përfshira edhe pagesa e shujtës si dhe paga e 13-të.

Ajo tha se tashmë pas dërgimit të draftit të kontratës kolektive në Ministrinë e Shëndetësisë, presin që së shpejti të zhvillojnë një takim në kuadër të dialogut social.

Kryesindikalistja Imeri shprehet optimiste që brenda muajit qershor të finalizohet kontrata e re kolektive sektoriale.

Sipas saj, punëtorët shëndetësorë janë të revoltuar pasi nga viti i kaluar janë pa kontratë kolektive, madje Imeri thotë se po kërkojnë edhe protesta e greva.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia u shpreh për KosovaPress se aktualisht për kontratën kolektive po zhvillohet dialogu social, për çka shprehu përkushtimin maksimal që të përfshihen kërkesat e personelit mjekësor.

Sipas tij, kontrata kolektive sektoriale e ardhshme do të zbatohet në tërësi.

Ndërsa, anëtari i Komisionit parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Shemsedin Dreshaj theksoi se nga viti e kaluar punëtorët shëndetësorë kanë mbetur pa kontratë kolektive, prandaj e sheh të domosdoshme sa më shpejtë hartimin e saj.

Deputeti nga radhët e AAK-së thekson se për këtë kontratë duhet të ketë pajtueshmëri në mes të punëtorëve shëndetësorë dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

Vitin e kaluar Ministria e Shëndetësisë iu ka shkëputur kontratën kolektive sektoriale punëtorëve të shëndetësisë me arsyetimin se është me afat të skaduar.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024