Në raportin e fundit të Freedom House, për të katërtin vit radhazi, Serbia nuk klasifikohet si vend demokratik, por si "regjim hibrid apo tranzitor" në të cilat institucionet demokratike janë të brishta.
Cilësia e demokracisë në Serbi, në raportin "Vendet në Tranzicion" matet nga 1 në 7, këtë vit si vitin e kaluar është vlerësuar me 3.79, që ishte rënia e dytë më e madhe e regjistruar.
“Zgjedhjet e përsëritura në një qendër votimi janë mbajtur pesë herë, me përcaktimin e rezultateve deri më 5 korrik – një rekord 93 ditë pas ditës së zgjedhjeve. Kjo kontribuoi ndjeshëm në vonesën e formimit të Parlamentit dhe Qeverisë”, shkruan Freedom House.
REM – institucion i kapur
“Sulmet ndaj gazetarëve në Serbi vazhdojnë të janë shqetësuese. Sipas të dhënave të Shoqatës së Pavarur të Gazetarëve të Serbisë (NUNS), gjatë vitit janë regjistruar 132 raste të sulmeve ndaj tyre. Edhe pse kjo paraqet një rënie në krahasim me 2020 dhe 2021, ende vazhdon të jetë i lartë numri i sulmeve në 10 vitet e fundit”, thuhet në raport.
Ajo të kujton rastin e një letre anonime ku kërcënon gazetarët e Danasit, OK Radio në Vranjë dhe ndaj anëtarit të Grupit Punues të Qeverisë për Sigurinë e Gazetarëve, Veran Matiq.
Aty përmendet vendimi i Organit Rregullativ të Mediave Elektronike (REM) për shtrirjen e frekuencave kombëtare të transmetimit për tetë vitet e ardhshme për televizionet që janë të afërta me Aleksandar Vuçiqin.
“Edhe pse REM-i duhej të merrte një vendim për frekuencat e pestë medieve kombëtare brenda datës 26 nëntor 2022, ky vendim është shtyrë pa afat. Edhe pse paraqet një hap tjetër mbrapa me pluralizmin mediatik dhe përfaqësimin e balancuar të akterëve politikë, ky zhvillim argumenton vlerësimin se REM është një institucion i kapur”, thuhet në raport.
“Lufta mes dy kompanive rivale – Telekom Serbia dhe United Group – shkon përtej konkurrencës komerciale, duke pasur parasysh se rrjeti i Telekomit nuk transmeton mediet kryesore kritike në vend si N1 dhe Nova S. Kjo krijon një kërcënim serioz për lirinë e medieve në Serbi, sepse në këtë rast ka një vijë të hollë mes interesave komerciale dhe politike", shton raporti.
Lufta kundër krimit është e lidhur me bandat brenda SNS
“Derisa Qeveria e Serbisë e paraqet rastin si provë të luftës kundër krimit të organizuar, anëtarët e akuzuar të bandës folën për lidhjet e tyre me partitë në pushtet gjatë gjykimit”, shkruan Freedom House.
Aty shtohet se rastet e mëdha të korrupsionit dhe krimit të organizuar, si gjyqi i ish-sekretares shtetërore të Ministrisë së Brendshme, Dijana Hrkaloviq dhe pronarit të plantacionit Jovanjica, Predrag Koluvija, çuan në "akuza të ndërsjella të shtetit dhe publikut për zyrtarët që kanë lidhje me krimin e organizuar”.
Freedom House i referohet edhe gjetjeve të raportit të Komisionit Evropian, se ka pasur "një rritje të lehtë të vendimeve të shkallës së parë në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë", por se ka sërish "mungesë të hetimeve për raportet e sinjalizuesve, sikurse është rasti me fabrikën e armëve Krushik, një nga skandalet më të mëdha korruptive të viteve të fundit”.
Në pjesën për luftën kundër korrupsionit, kjo organizatë thekson se ka pasur “vonesa të konsiderueshme” në reformat në lidhje me këtë fushë, “ndërsa rastet e mëdha të korrupsionit tregojnë për lidhje mes zyrtarëve të qeverisë dhe krimit të organizuar”.
Tutje, raporti thekson se fushatat kundër organizatave të shoqërisë civile dhe përfaqësuesve të tyre mbeten “të zakonshme”.
Zyrtarët e Partisë Progresive Serbe, që drejtohet nga Vuçiqi, në disa raste kanë vënë në pikëpyetje financimin e këtyre organizatave.
Organizata regjistroi një përpjekje të ministrit të Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Aleksandar Martinoviq, për të diskredituar OJQ-të që kritikojnë qeverinë, duke folur për financat e tyre personale dhe duke i barazuar me opozitën.
Vihet re se gjatë vitit të kaluar janë zhvilluar edhe çështje gjyqësore ndaj qytetarëve që kanë marrë pjesë në protestat mjedisore në fund të vitit 2021, të cilat përfaqësues të shoqërisë civile i cilësuan si “përpjekje sistematike për të dekurajuar qytetarët për të marrë pjesë në protestat e ardhshme”.
Çështja e sanksioneve kundër Rusisë dominon në diskursin politik
Në pjesën e raportit për gjendjen e institucioneve demokratike, organizata thekson se gjatë vitit të kaluar diskursi politik në masë të madhe ka qenë i dominuar nga pushtimi rus i Ukrainës, si dhe kërkesa që Serbia të respektojë sanksionet perëndimore kundër Rusisë.
“Qeveria nuk vendosi sanksione ndaj Rusisë në vitin 2022", kujton Freedom House.
Në fund, theksohet se lufta në Ukrainë, së bashku me kërkesat e BE-së në lidhje me sanksionet, çuan në protesta të mëdha të krahut të djathtë në mbështetje të Rusisë, si dhe kërcënimet ndaj gazetarëve që raportonin për luftën, ndërsa sondazhet më të reja treguan se më shumë se 50 për qind e qytetarëve serbë janë kundër anëtarësimit në Bashkim Evropian.