PDK inicion plotësim-ndryshimin e Ligjit për Tatimin në Pronë
Biznes
Lexohet për: 2 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Partia Demokratike e Kosovës ka iniciuar në Kuvendin e Kosovës ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Tatimin në Pronën e paluajtshme.

Kështu ka bërë të ditur në një konferencë për medie koordinator i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë, Arben Mustafa, i cili  tha se përmes këtij plotësim-ndryshimi është propozuar pezullimi i vlerësimit të pronave që është bërë në vitin 2022.

Sipas tij, kjo nismë është ndërmarrë pas dyfishimit të faturave të tatimit në pronë për vitin 2023 për pjesën më të madhe të qytetarëve të Kosovës.

Ai ka kërkuar nga mazhoranca që ta trajtojë këtë projektligj me urgjencë.

“Duke parë këtë gjendje ashtu edhe siç kemi paralajmëruar Grupit Parlamentar i PDK-së ka iniciuar në Kuvendin e Kosovës ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për tatimin në pronën e paluajtshme. Përmes këtij projektligji kemi propozuar pezullimin për një vit të vlerësimit të  pronave që është bërë në vitin 2022 nga ana e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, në mënyrë që tatimi në pronë të mos rritet në këto kushte të rënduara ekonomike. Ky ndryshim dhe plotësim i Ligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme do të mundësojë aplikimin e vlerësimeve të pronave dhe faturave tatimore që kanë qenë deri në vitin 2022”, tha ai.

Përmes kësaj nisme ligjore, PDK ka propozuar që Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve brenda një viti të propozojë amandamentimet e nevojshme ligjore me të cilat ndryshohet pragu i poshtëm prej 0.15% i përcaktuar në nenin 9 të ligjit bazë.

Mustafa i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës për vlerësim pozitiv sa i përket kësaj nisme ligjore të PDK-së dhe kjo çështje të adresohet sa më shpejtë që është e mundur.

Sipas Mustafës zgjidhjet e ofruara deri më tani janë improvizuese dhe vetëm sa e shtyn problemin në vitin e ardhshëm.

Mustafa u shpreh po ashtu se kjo gjendje nuk ka ndodhur për shkak të komunave, prandaj edhe zgjidhja nuk është në duart e kryetarëve të komunave.

https://kosovapress.com/admin/komisioni-per-buxhet-miratoi-projektligjin-per-faljen-e-100-eurove-te-tatimit-ne-prone/
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024