​“Ujqërit e natës” të Putinit po ngrenë një statujë të Millosheviqit në qendër të Moskës
Lajme
Lexohet për: 4 min.
10 muaj më parë
Linku u kopjua

“Ujqërit e natës” famëkeq të presidentit rus Vladimir Putin, po ngrenë një statujë të kasapit të Ballkanit, Slobodan Millosheviq.

Skulptura, e cila është shkrirë në bronz në Serbi, është dy metra e lartë dhe është vepër e skulptorit akademik nga Beogradi, Dragan Radenoviq, shkruajnë mediat kroate.

Pas rreth një muaji, në mes të qershorit, në qendër të Moskës në sheshin evropian atje, duhet t'i ngrihet një monument ish-presidentit autoritar serb dhe të paditurit të Hagës (ai u gjykua për krime lufte, por vdiq në burg para vendimit ) Sllobodan Millosheviqi, nismëtari i luftërave shkatërruese në territorin e ish-Jugosllavisë në Slloveni, Kroaci, Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë, shkruan jutarnji.hr.

Marat Bashirov, profesor në Shkollën e Lartë Ekonomike të Institutit Kombëtar të Kërkimeve të Universitetit të Moskës, e tha këtë në një intervistë për tabloidin rus me tirazh të lartë, dhe iniciatori i kësaj është propagandues i njohur pro Putinit, drejtuesi i klubit të motoçikletave “Ujqërit e Natës”, Aleksandar Zalldostanov, i njohur si “Kirurgu”.

Presidenti rus Vladimir Putin është anëtar nderi i atij klubit të motoçikletave të regjimit që mbështet agresionin kundër Ukrainës dhe mbron realizimin e ideve të "botës ruse", dhe "Ujqërit" janë një "dekorim" i vazhdueshëm i manifestimeve pro Putinit. Skulptura, e cila është shkrirë në bronz në Serbi, është dy metra e lartë (portalet serbe flasin për një monument prej tre metrash), dhe është vepër e skulptorit akademik nga Beogradi, Dragan Radenoviq.

Statuja paraqet Millosheviqin duke mbajtur një maskë në dorë që nga njëra anë i ngjan një personazhi nga një pikturë e famshme e piktorit norvegjez Edvard Munch - The Scream, por në fakt edhe më shumë si një maskë nga filmi horror "rinor" "The Scream"? Ai tha për portalin ultra-nacionalist rus Cargrad se serbëve duhet t'u vijë turp që monumenti nuk do të ngrihet në Serbi. Monumenti ka përfunduar dhe tashmë është dërguar në Moskë, i shoqëruar nga Ujqërit e Natës.

Në një intervistë, Bashirov thekson se arsyeja e ngritjes së monumentit në Moskë është, para së gjithash, sepse “Milosheviqi është viktima e parë e NATO-s kriminale”, duke iu referuar ndërhyrjes në vitin 1999, por pa e përmendur se është për shkak të luftës dhe krimeve të bëra nga regjimi i tij në Kosovë, kur për pak muaj dëboi më shumë se 800 mijë shqiptarë nga Kosova, dhe duhet të kujtojmë se edhe presidenti aktual serb Aleksandar Vuçiq atëherë ka qenë në qeveri si ministër i Informacionit.

Dhe e dyta, sipas Zalldostanov në Serbi janë ende në mëdyshje për ngritjen e atij monumenti, kështu që ai do të “inskenohet” në Rusi, e më pas në Serbi, kur Rusia “të thyejë akullin”. Sipas Bashirovit, “tradhtarët serbë” e ekstraduan Millosheviqin në Hagë dhe ai “mbrojtjen e atdheut e pagoi me jetë”.

“Shumë e tradhtuan atëherë, dhe qeveria e Zoran Xhinxhiqit e rrëmbeu dhe e dërgoi në Hagë. Ata nuk mund ta thyenin atë, ai vazhdoi të akuzonte heroikisht NATO-n e udhëhequr nga SHBA për kryerjen e një krimi kundër njerëzimit. Ne rusët atëherë bëmë një gabim të madh duke mos mbrojtur me vendosmëri Serbinë”, tha Bashirov.

"Serbia, për arsye historike, mbetet ndoshta aleati dhe partneri ynë i vetëm i dukshëm. Edhe pse Serbia është nën presion të vazhdueshëm për të vendosur një lloj kufizimi kundër nesh. Një vend tjetër aleat është Hungaria, ajo është pranë nesh për shkak të lidhjeve ekonomike”, shtoi Bashirov.

Lideri i "Ujqërve të natës" Aleksandar Zalldostanov pohon se përgatitjet dhe puna për vendosjen e monumentit janë në fazën përfundimtare dhe se monumenti po ngrihet në shenjë mirënjohjeje për Millosheviqin, "i cili në mënyrë profetike parashikoi se çfarë do të na ndodh ne".

Dragan Radeviq, nënkryetar i shoqatës nacionaliste pro-ruse "Sloboda", thotë se para disa vitesh është nisur një iniciativë për ngritjen e një monumenti të Millosheviqit në Beograd dhe të emërohet një rrugë apo një shesh me emrin e tij, dhe të kujtojmë se edhe ministri i tanishëm i Punëve të Jashtme të Serbisë dhe ish-zëdhënësi i Millosheviqit në kohën e luftës, Ivica Daçiq, i njohur me pseudonimin Mali Sloba (Slloba i vogël), paralajmëroi ndërtimin e monumentit, por së fundmi ideja ka vdekur disi.

Kuptohet se ekziston një bust i Millosheviqit në Pozharevc, ku është i varrosur.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024