Një ciklon i fuqishëm ka goditur brigjet e Bangladeshit dhe Mianmarit, teksa stuhia u intensifikua dhe tani është e barasvlershme me stuhi të kategorisë së pestë.
Cikloni Mocha ka sjellë shira dhe erëra deri në 195 kilometra në orë, që mund të shkaktojnë vërshime të rrezikshme në tokën përreth Gjirit të Bengalit, shkruan BBC.
“Nëse valët e detit arrijnë deri në katër metra lartësi, atëherë disa fshatra, që gjenden në nivel më të ulët, mund të goditen”.
Ipas raportimeve të mediave ndërkombetarë, shirat e mëdha dhe erërat e fuqishme kanë goditur këtë rajon, ndërsa më së rëndi është goditur qyteti Sitve në Mianmar.
Po ashtu, sipas videove të postuara, stuhia ka shkaktuar dëme të mëdha në shtëpitë e qytetarëve. Mediat lokale kanë raportuar se një djalë 14 vjeçar ka humbur jetën pas rrëzimit të një peme në shtetin Rakine të Mianmarit.
Edhe në Bangladesh, stuhia ka detyruar që banorët të strehohen në shkolla dhe manastire. Qeveria ka lëshuar një paralajmërim për rrëshqitje të dheut dhe ka bërë thirrje që qytetarët të shmangin zonat afër bregdetit.