Koraq: Serbia po hyn në një fazë të destabilitetit politik, nuk e zbaton marrëveshjen e Ohrit
Lajme
Lexohet për: 4 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Serbia po hyn në një fazë të paqëndrueshmërisë politike që sapo ka filluar dhe nuk do të ndalet, por është shumë e vështirë të thuhet se çfarë drejtimi do të marrë më tej, thotë Zharko Koraq, psikolog dhe ish-nënkryetar i Qeverisë së Serbisë në Kabinetin e Zoran Gjingjiqit. Ai është i bindur se Vuçiq nuk ka ndërmend të pranojë dhe zbatojë marrëveshjen e Ohrit.

Sipas tij, presidenti serb Aleksandar Vuçiq po e humb kontrollin.

“Ky nervozizëm që po tregon Vuçiq nuk është vetëm për shkak të këtyre krimeve monstruoze në Serbi, por edhe për shkak se atij po i kalon koha rreth problemit të Kosovës. Ai tashmë ka marrë një paralajmërim – një artikull në New York Times, që është një gazetë e pavarur, intelektuale, liberale dhe gazeta më me ndikim amerikan jashtë SHBA-së. Do të thotë ai mori një paralajmërim se janë në dijeni se çfarë po bën dhe nervozizmi është i madh: ai ka problemin e Kosovës, humbjen e kontrollit mbi atë që po ndodh në vend, krimet, natyrisht dhe së treti, ai ka një situatë shumë të keqe ekonomike në vend”, thotë Koraq në një intervistë për The Geopost.

“Takimi më i madh në histori” që Vuçiq paralajmëroi për 26 maj, sipas tij, është një shenjë se presidenti serb kishte frikë nga humbja e pushtetit.

“Para së gjithash, me këtë tubim, që është për të ardhur keq, ai po e rinovon traditën e Sllobodan Millosheviqit, i cili kishte ato mitingje të mëdha. Njëri prej tyre ishte në Ushçe kur shkrimtari Vitezoviq tha ‘populli ndodhi’ dhe kjo është hera e dytë që populli ndodh. Nuk ka funksionuar atëherë dhe nuk do të funksionojë as tani”, shton ai.

Koraq vlerëson edhe se askush nuk i kontrolloi serbët në Kosovë kaq sa Vuçiq.

“Ndoshta Millosheviqi në fillim të sundimit të tij, por kjo ishte një situatë tjetër. Kosova nuk ishte shpallur e pavarur atëherë, ajo teknikisht ishte ende pjesë e Serbisë dhe ish-Jugosllavisë”, shprehet Koraq.

Ai beson se Vuçiq ka bërë një gabim kardinal duke shantazhuar Perëndimin dhe Prishtinën duke i tërhequr serbët nga të gjitha institucionet.

“Serbët ishin në qeveri, parlament, kryetarët e komunave… Ai shkaktoi një krizë të madhe duke menduar se Perëndimi do të paraqiste një fakt të kryer dhe se Perëndimi do ta detyronte Kurtin që Asociacionin e Komunave Serbe ta shihte siç donte ai dhe jo ndoshta si do ta kishte bërë Kurti”, beson ai.

Koraq është i bindur se Vuçiq nuk ka ndërmend të pranojë dhe zbatojë marrëveshjen e Ohrit.

“Vuçiq nuk ka ndërmend të zbatojë Marrëveshjen e Ohrit, për të çdo zgjidhje për çështjen e Kosovës humbet në sytë e votuesve të tij. Dhe ai mendon vetëm për votuesit e tij. Vuçiq mban të ashtuquajturat fokus grupe dy herë në ditë, kjo është unike. Nuk kam dëgjuar që dikush ta bëjë këtë, ai si në mëngjes ashtu edhe në pasdite i shqyrton besnikët e tij politikë dhe e di se do të humbasë me çdo zgjidhje të çështjes së Kosovës”, thekson Koraq.

Ai shton se Serbia e ka humbur kartën ruse dhe Vuçiq e vërën këtë.

“Ai në të vërtetë nuk ka askund mbështetje politike. Paradoksalisht, ai ende mbështetet më së shumti nga SHBA-të dhe një pjesë e Evropës, duke pritur që ai të bëjë një lëvizje racionale, që do të thotë të bëjë përfundimisht një lloj marrëveshjeje me Kurtin. Dhe Perëndimi, po më mungon fjala e duhur, ne në psikologji e kemi një termin formësim – vazhdimisht po mundohen ta formësojnë, në serbisht do të thoshin ‘nutkaju ga’ (po e lusin tepër), për mendimin tim fare pa rezultat”, shton ai.

Koraq përfundon se ne nuk jemi një rajon prioritar as për Perëndimin dhe as për Evropën.

“Gjëja më e rëndësishme për Perëndimin në këtë moment është të mos ketë konflikt të armatosur dhe kjo është një pritshmëri tmerrësisht e ulët nga rajoni”, përfundon Koraq.

Si e vlerësoni punën e Arbërie Nagavci në krye të Ministrisë së Arsimit?
Shumë të mirë
Mirë
Dobët
Shumë të dobët
Voto
10
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024