Këtë vit 70 pacientë me urgjencë kërkuan ndihmë financiare nga FSSH
Intervista
Lexohet për: 3 min.
9 muaj më parë
Linku u kopjua

Në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore për katër muajt e parë të këtij viti, kanë kërkuar mbështetje financiare për trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike shëndetësore mbi 70 pacientë që kanë pasur nevojë për trajtim me urgjencë. E për këto raste të cilat kryesisht kanë marrë trajtim në spitalet turke, janë shpenzuar 2 milionë euro nga buxheti i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Bujar Kaçuri u shpreh për KosovaPress, se diagnozat të cilat nuk janë pjesë e udhëzimit administrativ për trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike, nuk po aprovohen nga Fondi.

“Nuk do të thosha se ka shtim të kërkesave, mirëpo e meta është se lista e diagnozave që është pjesë e udhëzimit është shumë e mangët në momentin kur është hartuar kjo listë, nuk është marrë për bazë kriteri dhe qëllimi që ka qenë i kësaj liste dhe ka mbetur e mangët dhe prej viti 2017, nuk është përditësuar. Numri vazhdon të jetë ai thuajse i njëjti i cili ka qenë, me marrjen e detyrës, ne i kemi njoftuar të gjitha klinikat se sidomos te rastet urgjente ku është e obliguar fletëzotimi, diagnozat të cilat nuk janë pjesë e kësaj liste nuk do të aprovohen. Sipas të dhënave që i kemi nga divizioni për trajtim, gjatë këtij viti deri më tash mbi 70 persona kanë kërkuar mbështetje financiare për raste urgjente të referuara nga klinikat e ShSKUK-së”, tha ai.

Sipas u.d. të drejtorit të Fondit, deri më tani prej gjithsej 9 milionë eurove, sa kanë në dispozicion, janë shpenzuar vetëm për rastet urgjente 2 milionë euro.

Edhe këtë vit personat që vuajnë nga sëmundjet malinje, vazhdojnë të jenë ata të cilët kërkojnë më së shumti ndihmë financiare nga shteti, pasi trajtimi në institucionet publike vendore nuk është i mundur.

Ndërsa, tek spitalet turke edhe në këtë fillim vit, kosovarët vazhduan të kërkojnë ilaç për shëndetin e tyre.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të FSSH-së, Bujar Kaçuri tha se udhëzimi i ri administrativ për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore së shpejti do të finalizohet.

Ai theksoi se ky udhëzim parasheh diagnoza të reja për të cilat pacientët mund të marrin mbështetje financiare për shërbim shëndetësor jashtë institucioneve publike.

Qytetarët e Kosovës edhe 24 vite pas luftës vazhdojnë që të mos gëzojnë sigurime shëndetësore. Ndërsa, në vitin 2022 për shkak të dyshimeve për keqpërdorim dhe keqmenaxhim për trajtimin e pacientëve në klinikat private jashtë vendit, kryesisht në Turqi, Bordi i Fondit e ka shkarkuar nga detyra e drejtorit, Fatmir Plakiqin. /B.Ibishi/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024