Donin të shpërndanin ushqim për përfitime elektorale, tre të arrestuar në Shkodër
Lexohet për: 2 min.
346846671_175523585455037_4648921886693882282_n
1 vit më parë
Linku u kopjua

Policia në Shkodër ka arrestuar drejtorin e Drejtorisë Ekonomike-Arsimore në bashkinë e Shkodrës, teknikun e Shërbimeve Mbështetëse në Drejtorinë Ekonomike-Arsimore dhe specialistin e Financës në Drejtorinë Ekonomike-Arsimore. Kurse është shpallur në kërkim porositësi i pakove ushqimore, me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Ujësjellës-Kanalizimeve, në këtë bashki, pasi të njëjtit u kapën në flagrancë duke transportuar me furgon, 50 qese me ushqime, për t'i shpërndarë te qytetarët, për përfitime elektorale.

Sipas Policisë, në cilësine e provave materiale janë sekuestruar, 50 qeset me ushqime, si dhe automjeti me të cilin transportoheshin ato.

“Strukturat hetimore të DVP Shkodër, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shkodrës, kanë vijuar veprimet e  thelluara  hetimore për rastin e evidentuar mesditën e djeshme, në unazën perëndimore të qytetit të Shkodres, ku shërbimet e Policisë, bazuar në inteligjencën informative, si dhe si rezultat i kontrolleve të territorit me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve elektorale, shoqëruan në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, 3 punonjës të bashkisë Shkodër, të cilët transportonin me një furgon, 50 pako me ushqime. Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast, u arrestuan në flagrancë, për veprën penale "Korrupsioni aktiv në zgjedhje", kryer në bashkëpunim, shtetasit: -E. I., 31 vjeç, me detyrë Drejtor i Drejtorisë Ekonomike-Arsimore, bashkia Shkodër; -P. D., 49 vjeç, me detyrë Teknik i Shërbimeve Mbështetëse në Drejtorinë Ekonomike-Arsimore, bashkia Shkodër;-M. V., 63 vjeç, me detyrë Specialist i Financës në Drejtorisë Ekonomike-Arsimore, bashkia Shkodër. Gjithashtu, nga veprimet e thelluara hetimore në lidhje me këtë rast, u bë i mundur konstatimi i shtetasit që kishte porostitur qeset me ushqime, konkretisht shtetasi A. B., 33 vjeç, me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Ujësjellës-Kanalizimeve, bashkia Shkodër, i cili u shpall në kërkim. Vijon puna për kapjen e tij”, thuhet në njoftim.

Sipas komunikatës, materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024