Bllokohet garazhi i Pallatit të Drejtësisë, gjyqtarë e të dyshuar hyjnë nga e njëjta derë
Tema
Lexohet për: 3 min.
11 muaj më parë
Linku u kopjua

Për shkak se garazhi nëntokësor i Pallatit të Drejtësisë është shndërruar në depo për pasuritë e sekuestruara nga Policia e Kosovës, kryesisht pajisje të lojërave të fatit, nga viti i kaluar të paraburgosurit dhe të burgosurit po detyrohen t’i shfrytëzojnë hyrjet kryesore të këtij objekti për qasje në sallat gjyqësore.

Ekspozimi i tyre para publikut dhe medias në atë mënyrë po konsiderohet në kundërshtim me parimin e mbrojtjes së të dhënave të tyre pasi, derisa ndaj tyre nuk ka një vendim gjyqësor të plotëfuqishëm, vlen prezumimi i pafajësisë.

Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama u shpreh se nga viti i kaluar është bllokuar qasja e të paraburgosurve në hyrjen e veçantë në pjesën e garazhit në Pallatin e Drejtësisë.

https://kosovapress.com/admin/seancat-gjyqesore-ne-pallatin-e-drejtesise-shtyhen-per-shkak-te-temperaturave-te-uleta/

Ajo theksoi shqetësimin se me ekspozimin e personave të privuar nga liria që janë në paraburgim po u cenohet e drejta e tyre.

“Prej vitit të kaluar ajo pjesë e hapësirës, qasja për Shërbimin Korrektues dhe Policinë është bllokuar për shkak se aty janë sjellë disa gjëra të sekuestruara në procedurë paraprake, të cilat kanë qenë të vendosura dhe të ruajtura nga ana e policisë me një vend tjetër në Belveder në Mitrovicë dhe për shkak se nuk kanë pas ku tjetër me i vendos i kanë vendosur brenda Pallatit të Drejtësisë dhe në fakt neve na është bërë e pamundur tani t’i shfrytëzojmë, sepse nuk kemi qasje në atë pjesë, sepse është e bllokuar dhe çelësat i përdorin vetëm Policia dhe MPB, të cilët janë edhe përgjegjës për menaxhimin e objektit të Pallatit të Drejtësisë.”, tha ajo.

Shabani-Rama u shpreh se për vendosjen e rreth 1 mijë pajisjeve të lojërave të fatit ka ardhur urdhri si vendim dhe nuk kanë kërkuar leje.

Ndërsa, monitoruesja e Qendrave Korrektuese nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), Fatmire Haliti u shpreh se ekspozimi i të paraburgosurve para publikut është në kundërshtim me parimin e mbrojtjes së të dhënave të tyre personale.

https://kosovapress.com/admin/mbi-66-mije-lende-presin-zgjidhje-ne-gjykaten-themelore-ne-prishtine/

Nga Ministria e Punëve të Brendshme bënë të ditur se administrimi me këto hapësira bëhet nga Administrata e Pallatit të Drejtësisë.

Nga zyra për media e kësaj ministrie theksuan se kompetencë e këtij dikasteri është vetëm mirëmbajtja higjienike dhe teknike e pallatit.

Lidhur me lirimin e hapësirave të garazhit nëntokësor në Pallatin e Drejtësisë, ju njoftojmë se administrimi i Pallatit të Drejtësisë, bëhet nga vetë gjykatat dhe prokuroria përmes këshillit përkatës. Ministria e Punëve të Brendshme, përkatësisht DSPIMNQ, përkujdeset vetëm për mirëmbajtjen higjienike dhe teknike të Pallatit”, u bë e ditur në shkresën e MPB-së.

Kujtojmë që, gjatë muajve të dimrit seancat ishin shtyrë në Pallatin e Drejtësisë për shkak të temperaturave të ulëta, ndërsa gjatë verës së kaluar, i njëjti objekt kishte pasur telashe me mungesë të oksigjenit dhe klimatizimit. Dhe si pasojë e kësaj situate të krijuar, kishte nisur hapja e dritareve në këtë objekt, që nuk kishte qenë e lejuar më parë./B.Ibishi/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024