Vazhdon beteja për Bahmutin, Moska mohon përparimet e Ukrainës
Ukrainë
Lexohet për: 2 min.
9 muaj më parë
Linku u kopjua

Luftime të ashpra midis forcave ukrainase dhe ruse po vazhdojnë në Bahmut, qyteti i Donjeckut që ka qenë fokusi kryesor i ofensivës së Moskës në rajonin e Donbasit, përderisa raportohet se Kievi ka fituar në zona të caktuara të frontit, ndërsa vendi përgatitet për një kundërsulm të shumëpritur.

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës raportoi se në 24 orët e fundit, forcat ukrainase u mbrojtën me sukses kundër 44 sulmeve ruse në Bahmut, ndërsa vija e frontit Bahmut-Avdivka-Marinkavazhdon të bombardohet rëndë nga forcat ruse.

Më 11 maj, u raportua për përparime të Ukrainës në rajone të ndryshme, duke përfshirë Bahmutin, por Rusia shpejtoi t'i mohonte ato. Mohimet qarkulluan nga blogerët ushtarakë pro-Moskës dhe Yevgeni Prigozhin, kreu i grupit mercenar Wagner që ka luajtur një rol kyç në betejën për Donjeckun.

Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se “situata në zonën e operacionit special ushtarak ishte nën kontroll", shkruan Rel.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov gjithashtu u përpoq të qëndronte optimist, duke thënë se "operacioni special ushtarak" kundër Ukrainës kishte qenë sfidues, por këmbënguli se disa qëllime ishin arritur.

Prigozhin pretendoi më 11 maj se kundërofensiva e Ukrainës ishte tashmë duke u zhvilluar.

Në zonën e Bahmutit, tha ai, forcat e armatosura ukrainase "po godasin krahët tanë dhe, për fat të keq, në disa vende ato janë të suksesshme".

Presidenti Volodymyr Zelensky hodhi poshtë raportimet, duke thënë në një intervistë me transmetuesit evropianë se Kievi po vonon fillimin e kundërofensivës sepse i mungojnë armët perëndimore për të pasur sukses pa pësuar shumë viktima.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024