​Dhoma e Tregtisë kërkon ekzekutimin e menjëhershëm të pagesave nga Superpuna
Biznes
Lexohet për: 2 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë kërkon nga Qeveria e Kosovës që të bëhet ekzekutimi i menjëhershëm i pagesave për të gjitha bizneset të cilat tashmë kanë rekrutuar staf përmes platformës Superpuna.

Përmes një komunikate për media, pas ankesave të vazhdueshme të pranuara nga bizneset, Dhoma e Tregtisë ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me vonesat e pagesave për punëtorët e rekrutuar përmes kësaj platforme, pagesa këto të cilat fillimisht duhet të kryhen nga bizneset në mënyrë vetanake për të gjithë të punësuarit e tek më pas të bëhet rimbursimi nga Qeveria e Kosovës.

“Aktualisht, subvencionimi nga Qeveria bëhet me një muaj diferencë, ngase deklarimi i punëtorëve në ATK bëhet deri më datë 15 të muajit vijues të angazhimit. Pra, për punëtorët e angazhuar në muajin mars, deklarimi në ATK bëhet deri më 15 prill. Proces ky i cili po zvarritet, konkretisht tek në muajin Maj është bërë subvencionimi i kompanive për muajt shkurt dhe mars”, thuhet aty.

Dhoma e Tregtisë thekson se bizneset nuk duhet të detyrohen të hyjnë në borxhe në banka për të kryer pagat dhe më vonë të presin kompenzimin nga Qeveria me data të paqarta.

“Duke pasur parasysh kostot rreth përgatitjes së kërkesës, aprovimit, pagesës e tek me vonë kompensimit, ne mendojmë se ky proces do të duhej të thjeshtësohet duke bërë që autoritetet të paguajnë praktikantët direkt në vend se të përllogaritet pensioni e taksa bashkë me shumën e subvencionuar e cila për nga natyra nuk do të duhet të ishte e tatueshme... Për më tepër të gjitha kompanitë për të punësuar staf përmes plaformës Superpuna, duhet të mos kenë obligime në Administratën Tatimore të Kosovës, sfidë që e kanë shumica e bizneseve në këtë situatë të jashtëzakonshme për të bërit biznes”, thuhet në komunikatë. 

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024