Lista esenciale e barnave është zgjeruar me rreth 70 produkte të reja të barnave për trajtimin e sëmundjeve të pacientëve. Kështu ka bërë të ditur sot ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia gjatë një konference bashkë me kryesuesin e grupit punues për hartimin e Listës esenciale të barnave, Driton Vela.
Ministri Vitia ka thënë se për këtë vit për këtë listë janë ndarë 60 milionë euro buxhet, që siç është shprehur ai nënkupton dyfishim të buxhetit për barnat nga lista esenciale.Kryesuesi i grupit punues për hartimin e Listës esenciale të barnave, Driton Vela ka folur rreth indikacioneve për imunoterapi, ndërsa ka shtuar se kjo listë e re do të jetë valide tani e tutje.
Sa i takon propozimit për shkarkimin e një anëtareje të Bordit të OSHP, ministri i Shëndetësisë, Arben Vita është shprehur se janë të befasuar me presionin që ky organ po e ushtron karshi MSh.
I pyetur lidhur me ndalimin e monitorimit të mbledhjeve të Bordit të Shërbimi Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë se nuk është zyrtar ligjor t’i komentojë këto vendime. Por, ai ka theksuar se do të ndërmarrë veprime që i shërbejnë transparencës.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme i ka propozuar Kuvendit të Kosovës shkarkimin e anëtares së Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP), Kimete Gashi, për shkak të tenderit për insulina./B.Ibishi/