Meta kërkon pjesëmarrje masive në zgjedhjet e së dielës
Rajoni
Lexohet për: 2 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, bëri thirrje që të dielën shtetasit shqiptarë të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për votë dhe të dalin në mënyrë masive në zgjedhjet lokale për të zgjedhur kryetarët e bashkisë si dhe këshilltarët bashkiakë.

Ai kështu kritikoi kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, që gjatë një takimi elektoral iu kërkoi atyre që nuk do të votojnë Partinë Socialiste më mirë të mos dalin në votime.

Meta tha se është i lumtur që gjatë ditëve të fushatës ka parë mbështetjen e madhe për kandidatët e Koalicionit “Bashkë fitojmë” të partisë së tij dhe grupit të demokratëve të Sali Berishës.

Meta shtoi se ai që nuk voton nuk ka të drejtë as të ankohet nesër dhe se nuk ka të drejtë as të kërkojë llogari.

Ai kërkoi që qytetarët nuk duhet të tregtojnë votën.

“Ndaj jam besimplotë se qytetarët shqiptarë e kanë bërë zgjedhjen e tyre dhe ata do të marrin pjesë në mënyrë masive në zgjedhjet e 14 majit dhe njëkohësisht ata do të bëhen të gjithë pjesë e ndryshimit të domosdoshëm për një të ardhme më të mirë, jo vetëm për bashkitë tona, jo vetëm për të gjitha komunitetet tona anembanë vendit, por njëkohësisht pjesë e një përmbysje që fillon në 14 maj të regjimit të korrupsioni absolut siç ishte ai për shkak të monizmit absolut në 61 bashkitë dhe këshillat vendore të vendit tonë, për të filluar transparencën absolute që është interesi i çdo qytetari që jeton në këtë vend, që paguan taksa në këtë vend dhe që çdo ditë kërkon shërbime më të mira edhe nga bashkitë tona”, deklaroi Meta.

Të dielën, shtetasit shqiptarë me të drejtë vote iu drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur 61 kryetarët e rinj të bashkive si dhe këshilltarët komunalë. Koalicioni “bashkë fitojmë” si dhe Partia Socialiste e Edi Ramës garojnë në çdo bashki. Ndërsa kandidatë ka edhe Partia Demokratike e kryetarit të deleguar Enkelejd Alibeaj.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024