Parlamenti Evropian miratoi dy rezoluta vjetore për Kosovën dhe Serbinë, “përmes së cilave u bëhet ftesë të dyja vendeve që të jenë konstruktive në dialogun për normalizimin e raporteve dhe ky normalizim duhet të përfshijë edhe njohjen e ndërsjellë”.
Për raportin për Kosovën votuan 452 deputetë, 87 ishin kundër dhe 76 abstenuan.
Tekstet e raporteve për Kosovën dhe Serbinë paraprakisht ishin miratuar në Komisionin për politikë të jashtme, ndërkaq tani atyre iu shtuan disa amendamente të propozuara, që morën shumicën e votave të deputetëve evropianë.
Në raportin për Kosovën përsëritet ftesa për pesë shtetet e BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë një gjë të tillë, shkruan Rel. Spanja, Greqia, Rumania, Qipro dhe Sllovakia ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Raportuesja për Kosovën, Viola von Cramon, e cila e ka përpiluar tekstin e propozuar, u shpreh e kënaqur për përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave.
“Që nga viti 2019 unë përpiloja raporte për Kosovën duke shprehur vazhdimisht shpresën se do të sigurohet lëvizja e lirë. Tani mund të them se Evropa më në fund i hapi dyert edhe për Kosovën”, tha ajo gjatë debatit.
Gjatë debatit për Serbinë pati shumë deputetë që kërkon nga Beogradi që të shprehet qartë rreth aspiratave për integrime në BE dhe që këtë orientim ta dëshmojë duke mbështetur edhe sanksionet ndaj Rusisë. U dëgjua nga disa deputetë që Serbia po e bën të kundërtën, se në vend që të rrisë përshtatjen me qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme, po e zvogëlon atë.
Deputetja kroate, Zheljana Zovko nënvizoi se nga 65 për qind që ka qenë vitin e kaluar, përshtatja e Serbisë me politikën e jashtme të bllokut evropian ka rënë në 45 për qind.
Ajo po ashtu kërkoi po ashtu që serbët në veri të Kosovës të kthehen në institucionet kosovare.
Serbët në katër komunat në veri, të banuara me shumicë serbe u larguan nga institucionet e Kosovës në fund të vitit të kaluar, në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës që kërkonte riregjistrimin në targa të ligjshme të Kosovës të makinave që bartnin targa ilegale serbe.
Ndryshe, rezolutat e Parlamentit Evropian kanë një rëndësi politike, por ato nuk janë obliguese për vendet anëtare.