Çerkini: Deklarata për të Zhdukurit është mashtruese dhe e mjerueshme
Intervista
Lexohet për: 4 min.
11 muaj më parë
Linku u kopjua

Kryetari i Shoqatës “Zëri i Prindërve”, Bajram Çerkini e ka quajtur të shëmtuar e mashtruese  Deklaratën për të Zhdukurit e cila u  miratuar gjatë takimit të djeshëm në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Çerkini në një intervistë për KosovaPress u shpreh se me këtë deklaratë vetëm sa do të ngecë tutje procesi dhe nuk do të ketë asnjë progres për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Sipas tij, ky dakordim shkon në favor të atyre që nuk duan t’i zbulojnë krimet e luftës në Kosovë përfshirë edhe çështjen e të pagjeturve.

“Unë them se këto deklarata janë mashtruese edhe për të shtyrë procesin e personave të pagjetur qysh e kanë shtyrë plotë që 25 vite dhe kjo shkon në favor të atyre që nuk duan me i zbulua krimet e luftës në Kosovë edhe me i zbulua ata njerëz që ne i kërkojmë edhe 1617 veta. Pse nuk jam i kënaqur? Sepse nuk kanë dal me një plan-program të caktuar se grupet dialoguese duhet të fillojnë menjëherë pavarësisht politikës në pjesën humane dhe një pikë e veçantë për personat e pagjetur t’ua tregojnë kohën kur mundem me vazhdua punën që e kanë punuar deri tash e 25 vite”, theksoi ai.

Madje, kryetari i Shoqatës “Zëri i Prindërve”, Bajram Çerkini  nuk pret që kjo Deklaratë për personat e zhdukur e dakorduar mes palës kosovare dhe ajo serbe të zbatohet nga ana e Serbisë.

Ai kërkon strategji konkrete për zbardhjen e fatit të mbi 1600 personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Teksa ka shprehur pakënaqësitë karshi punës së ekzekutivit kosovar që po e bënë për zbardhjen e fatit për të pagjeturit, Çerkini thotë se Deklarata për personat e zhdukur e miratua dje në Bruksel nuk ka të caktuar as një afat kohor për zgjidhjen e kësaj çështje.

Duke e konsideruar këtë deklaratë si të mjerueshme, Çerkini kërkon që familjarët e personave të zhdukur të takohen me Grupin punues dhe ata që ishin pjesë e takimit të djeshëm në Bruksel.

Kryeministri i Kosovë, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq në Bruksel të martën kanë nënshkruar deklaratën për të zhdukurit gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Në bazë të Deklaratës për personat e zhdukur palët janë zotuar se do të angazhohen:

- Për të siguruar zbatimin e plotë të angazhimeve përkatëse në fushën e Personave të Zhdukur,

- Për të bashkëpunuar ngushtë për identifikimin e vendeve të varrimit dhe për të pasuar më pas gërmimet,

- Për të siguruar qasjen e plotë në informacione të besueshme dhe të sakta që ndihmojnë të gjenden dhe identifikohen Personat e Zhdukur brenda periudhës kohore 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000. Kjo përfshin të gjitha materialet, shënimet, urdhrat, dokumentet, videot, audio-incizimet, dhe çdo dokument tjetër përfshirë edhe ato që kanë statusin e klasifikuar, nën posedimin e institucioneve të dyja palëve, që janë të rëndësishme për këtë kontekst,

- Për të vënë në dispozicion të gjitha dokumentet vendore dhe ndërkombëtarë me rëndësi për përcaktimin e fatit të Personave të Zhdukur, për të përdorur të dhënat satelitore, LIDAR dhe teknologji tjera në zbulimin e varreve masive,

- Për të mundësuar dhe inkurajuar angazhimin aktiv të familjeve të Personave të Zhdukur në procesin e identifikimit të fatit të tyre,

- Për të siguruar në mënyrë adekuate të drejtat dhe adresimin e nevojave të familjeve të Personave të Zhdukur etj.

 Ndërkaq, në takimin e tyre është prezantuar edhe draft-statuti i Asociacionit nga ish-ekipi menaxhues, i cili sipas kryeministrit Kurti është i papranueshëm për Kosovën. Ndërkaq, gjatë ditës së sotme, Qeveria e Kosovës ka shkarkuar ekipin menaxhues që e ka hartuar draft-statutit e Asociacionit. /B.Ibishi/

https://kosovapress.com/admin/%e2%80%8bpublikohet-deklarata-per-te-zhdukurit/
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024