Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, i ka dorëzuar të martën Kuvendit të Kosovës Raportin Vjetor të Performancës (RVP) për vitin 2022.
Për të rritur përgjegjshmërinë në sektorin publik, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka theksuar se gjatë vitit 2022, janë dërguar 77 raste me elemente potenciale të veprave penale, mashtrimit dhe korrupsionit në Prokurori të Shtetit, si dhe janë ofruar informacione të kësaj natyre për organet e hetuesisë.
Sipas njoftimit të Zyrës Kombëtare të Audimitt, raporti paraqet informata për performancën e përgjithshme të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) karshi detyrimeve dhe mandatit ligjor, si dhe reflekton progresin e arritur dhe adresimin e sfidave përgjatë vitit.
Spanca në fjalën e saj ka theksuar se aktiviteti auditues është mbështetur në Planin Vjetor të Auditimit 2021/22, ku përveç auditimeve të detyrueshme të rregullsisë, fokus i veçantë i është dhënë auditimeve të performancës me interes për qytetarët dhe Kuvendin.
Me qëllim të përmirësimit të menaxhimit të financave publike dhe shfrytëzimin e fondeve publike me efikasitet, efektivitet dhe arritjen e vlerës për para në vitin 2022 (që mbulojnë periudhën 2021) znj. Spanca ka treguar se ZKA-ja përmes raporteve të auditimit ka dhënë mbi një mijë rekomandime (1,030).
Po ashtu është rritur efikasiteti dhe ruajtur konsistenca në auditim duke avancuar tutje metodologjinë e punës në funksion të digjitalizimit të procesit auditues.
Tutje Auditorja e Përgjithshme, ka treguar se gjatë vitit 2022, ZKA-ja ka shënuar rezultate edhe sa i përket bashkëpunimit ndërkombëtar duke u anëtarësuar në grupe të ndryshme profesionale në kuadër të INTOSAI-t dhe EUROSAI-t. Po ashtu gjatë kësaj periudhe ZKA-ja ka marrë pjesë dhe është përfaqësuar në nivel rajonal dhe ndërkombëtar. Bashkëpunimi me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë ka vazhduar dhe aktivitete të shumta në fusha të ndryshme të zhvillimit institucional janë zhvilluar gjatë tërë vitit.